Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është shpallur partia më e votuar në Komunën e Junikut në zgjedhjet parlamentare të 2025-ë, kështu ka thënë kryetari i kësaj komune, Ruzhdi Shehu, përmes një postimi në Facebook, duke falënderuar votuesit brenda dhe jashtë vendit për besimin e dhënë.
“LDK është konfirmuar si partia e parë në Komunën e Junikut në zgjedhjet parlamentare 2025. Faleminderit të gjithë votuesve që jetojnë në Junik dhe në mërgatë, të cilët kanë konfirmuar besimin e tyre në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Dallimi në mes të LDK dhe partisë së dytë në Junik është rreth 5%”,ka shkruar Shehu në Facecbook.
Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe strukturat e partisë, duke theksuar se puna për zhvillimin e Junikut do të vazhdojë me intensitet të lartë.
Shehu ka paralajmëruar gjithashtu një fitore edhe më të fuqishme të LDK-së në zgjedhjet lokale, duke deklaruar se ato do të fitohen pa balotazh.
“Në zgjedhjet e ardhshme lokale do të konfirmojmë fitoren e LDK-së më bindshëm dhe më fuqishëm se asnjëherë më parë, pa balotazh”, ka shtuar ai.