Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi, ka thënë se hapja e e urës së Ibrit nga Qeveria Kurti, jo vetëm që nuk është në koordinim por është në konfrontim me kursin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të enjten, u zhvillua testimi i qëndrueshmërisë së urës, si pjesë e përgatitjeve të fundit për hapjen e saj. Ndërsa Sherifi theksoi se nuk është kundër hapjes së urës, ai paralajmëroi se çdo veprim i njëanshëm që nuk është në përputhje me aleatët mund të ketë pasoja të rënda për vendin.
Sherifi ka theksuar se hapja e urës duhet të bëhet në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me ShBA-të dhe NATO-n.
“Çdo veprim që bëhet në çështje e hapjes së urës, duhet të jetë në koordinim dhe harmonizimi me NATO-n. Nëse SHBA-të janë kundër, atëherë KFOR-i nuk besoj që do të tërhiqet aq lehtë, duke thënë meqë ka vendos Qeveria Kurti, le të bëjnë çka dojnë. Pra qeverisë i sugjerojnë të jetë në bashkëpunim të plotë më SHBA-të, nëse ne prishemi me SHAB-të, rreziku që BE-ja të ndjek kursin e tyre do të jetë shumë më i lehtë. Kam frikë se ky veprim jo vetë që nuk është në koordinim por është në konfrontim me kursin e SHBA-e”, ka thënë Sherifi në “Debat Plus”.
Sherifi ka potencuar se ura e Ibrit ka rëndësi simbolike, dhe kështu po përdoret për qëllime elektorale nga kryeministri, Albin Kurti.
Ndërkaq, në lidhje me këto zhvillime me urën e Ibrit, misioni paqeruajtës, KFOR, ka deklaruar se do të intervenojnë për ‘çfarëdo zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin që buron nga OKB-ja’.
Kurse, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.
“Ne besojmë se vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova të krijojë. Nëse e shikoni që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-ja fuqishëm ka mbështetur integrimin e tyre të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multientike, por për të realizuar këtë vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës në masat për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka thënë Miller gjatë së mërkurës.