“Pritjet e mia nuk janë ndryshe prej qytetarëve të Kosovës, ne presim që Kurti të nxjerrë marrëveshjen me njohje dhe jo pa-njohje”.
Kështu ka deklaruar Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate në lidhje me takimin e sotëm që po mbahet në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në emisionin “Five” të RTV Dukagjini, Sherifi ka thënë se premtimi i kryeministrit Kurti ka qenë që nuk do ta formojë “Zajednicën”.
“Ai ka dhënë premtime të forta, premtimi i tij ka qenë që nuk do e formojë Zajednicën. Ai ka thënë se përkundrazi nuk merr parasysh themelimin e Asociacionit, kemi një kthim mbrapa në procesin e dialogut, ai duhet të dalë dhe të u drejtohet atyre që kanë vuajtur burg”, ka thënë Sherifi.
Sipas tij, Kurti në këtë proces duhet të ecë vetëm me një kusht që njohjen e Kosovës ta shkëmbejë me Asociacionin.
“Përkundër premtimit të madh se nuk do ta themelojë Asociacionin, ai duhet të ecë drejt themelimit vetëm me një kusht, njohjen e shtetit të Kosovës”.
Ndër të tjera, ai ka thënë se qytetarët kanë besuar se Kurti do ta bindë Serbinë ta njohë Kosovën.
“Problemi i tij është se ka refuzuar ta bëjë Asociacionin, ai duke refuzuar që të bisedojë për themelimin e Asociacionit, tani Kosovës i kërkohet të themelojë këtë. Të gjitha deklarimet e mia publike janë që cdo marrëveshje që nuk ngërthen njohjen reciproke është kthim mbrapa”.
Ai ka theksuar ndër të tjera se Kurti duhet t’i lërë lojët e fjalëve që në fund të këtij procesi, të rezultojë me njohjen e Republikës së Kosovës dhe të marrë njohjen formale.