Shfaqja shqiptare që u ndalua nga serbët, fiton çmimet kryesore jashtë vendit

Shfaqja dramë "Katër Epoletat" me regji të Haqif Mulliqit, në 40-vjetorin e saj u shfaq në Teatrin e Mitrovicës "Muharrem Qena". Kjo shfaqje u vlerësua në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Maqedoninë e Veriut “Aktori i Evropës 2022” dhe mori tre çmime kryesore

Shfaqja dramë "Katër Epoletat", me regji të Haqif Mulliqit dhe e luajtur nga aktorët Basri Lushtaku, Ismet Azemi dhe Adem Zhitopotoku

Të hënën e 11 korrikut, shfaqja dramë “Katër Epoletat” nga teatri i qytetit të Mitrovicës “Muharrem Qena” është luajtur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Maqedoninë e Veriut “Aktori i Evropës 2022”.

Drama “Katër Epoletat” është me regji të Haqif Mulliqit dhe luhet nga aktorët Basri Lushtaku, Ismet Azemi dhe Adem Zhitopotoku.

“Juria profesionale e këtij festivali, në krye me aktorin e madh maqedonas, Meto Jovanovski, vendosi që tri çmimet kryesore t’ua ndajë regjisorit dhe aktorëve të shfaqjes “Katër Epoletat”, shkruhet në postimin e Komunës së Mitrovicës.

Çmimin kryesor të festivalit “Aktori i Evropës 2022” e mori aktori Ismet Azemi. Aktori Basri Lushtaku mori çmimin për aktrim “Dionisi i Prespës 2022”, ndërsa regjisori i shfaqjes Haqif Mulliqi mori çmimin “Regjisori më i mirë i Festivalit 2022”.

”Vepër futuristike”

Regjisori dhe autori i shfaqjes, Haqif Mulliqi, për Portali Dukagjini ka thënë se, shfaqja dramë “Katër Epoletat” është shkruar 40 vjet më parë dhe ishte reaksion ndaj brutalitetit të pushtetit serb ndaj demonstratave në Kosovë.

“Në fillim, koncepti im kishte të bënte me përballjen e fundit të dy gjeneralëve, dikur, të së njëjtës ushtri, të cilët, më në fund do ta shkatërrojnë botën e tyre dhe do të ngelen të ngujuar ndërmjet gërmadhave”, ka thënë regjisori i shfaqjes.

Mulliqi thotë se nuk e besonte se Jugosllavia dhe gjeneralët e të njëjtit shtet dhe të së njëjtës ushtri do të shkatërroheshin, por siç thotë ai, disa vjet pas ngjarjeve në Kosovë nisi lufta në atë vend. Sipas tij, ky është teksti që dramën e tij e shndërron në një “vepër futuristike”, mesazhi i së cilës, para se të gjithash është antilufta.

Mulliqi ka thënë se nëse do t’i merrnin parasysh edhe teatrot e Shqipërisë, duhet të kenë më shumë se 10 inskenime të shfaqjes dramë “Katër Epoletat”, dhe ajo që e ka bërë më të lumtur është se çdoherë është ndarë shumë i kënaqur me inskenime.

Rrugëtimi i shfaqjes “Katër Epoletat”

“Për herë të parë në Kosovë shfaqja dramë ‘Katër Epoletat’ është vënë në Teatrin Dodona, në vitin 1996 nga regjisori Orhan Kerkezi”, ka thënë regjisori Mulliqi.

Këtë shfaqje Mulliqi e vlerësoi si të jashtëzakonshme dhe që e kujton shpesh. Në këtë shfaqje, Orhan Kerkezi i shtoi dhe aktorët Armond Morina e Adhurim Demi. Ndërsa, rolet kryesore janë luajtur nga aktorët Shani Pallaska dhe Lirak Çelaj.

Regjisori i shfaqjes, Haqif Mulliqi pas marrjes së çmimeve në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Maqedoninë e Veriut “Aktori i Evropës 2022”

“Në vitin 1997, drejtoria e dhunshme e Teatrit të Gjakovës, nuk e lejuan inskenimin e saj. Unë nuk e besoj se për shkak të temës, por, domosdo, më konsideronin të papranueshëm, më kot kishte këmbëngulur dhe aktori Hadi Shehu, por vendimi i serbëve ishte definitiv. Por, megjithatë shfaqja është vënë, në dhjetor të vitit 1999, po në Gjakovë nga regjisori gjerman, Holger Zibler. Edhe inskenimi i tij i ftohtë, me doza ironie dhe sarkazmi më pëlqeu fort”.

Mulliqi ka treguar se inskenimi tjetër është bërë në Tiranë, nga Milto Kutali, në vitin 2004. Kjo shfaqje është kualifikuar në dy festivale botërore, të Edinburgut dhe Kajros, në vitin 2006.

Ndërsa, në vitin 2017, “Katër Epoletat” është inskenuar në Prishtinë nga regjisorja Arta Mulliqi dhe është luajtur nga aktoret Donika Ahmeti dhe Qëndresa Loku. Kjo shfaqje ka fituar çmim në një festival ndërkombëtar.

Për 40-vjetorin e dramës, regjisori ka inskenuar “Katër Epoletat” në Teatrin e Mitrovicës “Muharrem Qena”.

Regjisori i shfaqjes është ndarë i kënaqur me çmimet e fituara, të cilat u ndan në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Maqedonisë së Veriut “Aktori i Evropës 2022”.

“Jua them me sinqeritet se çmimet e aktorëve më gëzuan shumë. Ismeti dhe Basriu, për mua janë aktorë të paarritshëm me një potencë të jashtëzakonshme. Më pëlqen të punoj me ta, ndërsa, sa për ilustrim me Ismetin, tashmë, kam punuar në dymbëdhjetë shfaqje”.

Regjisori i “Katër Epoletat”, Haqif Mulliqi, ka treguar planet e tij profesionale për të ardhmen. Ai beson se në fund të korrikut do ta nxjerrë nga shtypi monografinë e tij për Henrik Ibsen, të cilin e konsideron si të atin e moderniznit në dramë.

“Kjo vjen pas monografisë time që tashmë e kam botuar. Në vjeshtë shpresoj ta dërgoj në shtyp monografinë time për Anton Çehovin. Qendra Multimediale më ka premtuar se do ta botojë”.

Sa i përket “Katër Epoletave”, Mulliqi pret që në vjeshtë të shkojë në Tuzëll (Bosnjë e Hercegovin֝ë), që të marr pjesë në premierën boshnjake.

“Për shfaqjen e Mitrovicës, kemi disa ftesa ndërkombëtare. Mendoj se janë gjashtë, shpresoj se në tre apo katër prej tyre dobtë marrim pjesë”, ka thënë ai.

Për në fund, Mulliqi tregoi se do të inskenojë dramën e tij “Show time”, për të cilën i ka bërë përgatitjet, por se provat nuk do t’i fillojë para shtatorit.

 Eksperienca e aktorit Basri Lushtakut në dramën “Katër Epoletat”

Aktori në dramën “Katër Epoletat”, Basri Lushtaku, në një intervistë për Portali Dukagjini ka thënë se, eksperienca e tij dhe e gjithë ekipit ishte shumë e mirë. Lushtaku ka vlerësuar mirëpritjen, dhe e ka cekur që zakonisht nëpër festivale, regjisorët dhe aktorët takohen me kolegët e tyre dhe të vendeve tjera, me të cilët shkëmbejnë ide dhe përvoja të ndryshme.

Basri Lushtaku ka treguar se secili ekip kur e punon nje shfaqje ka pritshmeritë e veta për punën dhe angazhimin te një shfaqje.

“Puna jonë me regjisorin dhe autorin e shfaqjes ‘Katër Epoletat’ ka qenë një punë e lodhshme për aktorët, kur dihet fakti që personazhet janë gjatë gjithë kohës në skenë. Por, jo e mundimshme kur punohet me dashuri për personazhin dhe karakterin që ndërton”.

I pyetur se nëse shfaqja “Katër Epoletat” do të ketë reprizë, Lushtaku është shprehur se shpreson se shfaqja dramë do të luhet përsëri.

Aktori, Basri Lushtaku

“Kjo shfaqje është punuar në Teatrin ‘Muharrem Qena’ në Mitrovicë dhe mirëpritja ka qenë fantastike nga te gjithë, duke filluar nga drejtori i teatrit Sabit Sheremeti, te stafi teknik, të cilët kanë qenë të mrekullushëm me punën e tyre. Na ka ndihmuar dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, drejtoresha Valdete Idrizi, e cila nuk ka hezituar aspak duke na ndihmuar që ne të shkojmë në festivalin e Prespës. Po shpresojmë që shikuesit do ta shohin këtë shfaqje përsëri në Teatrin ‘Muharrem Qena’ në Mitrovicë dhe në shumë festivale tjera nëpër botë!”.

Aktori Lushtaku ka folur dhe për rolin e tij në dramën “Katër Epoletat”, i cili është “Gjenerali Alfador”. Në këtë shfaqje janë dy gjeneralë, të cilët ballafaqohen me fundin e jetës së tyre.

“Kjo ndodh pas luftërave që kanë zhvilluar dhe presin vdekjen, duke mos dashur ta pranojnë për asnjë qast se vdekja do të vijë edhe për këta dy!”, është shprehur aktori.

Aktori i rolit “Gjenerali Alfador” ka treguar dhe për planet e tij profesionale, i cili së shpejti do të fillojë të punojë në disa projekte filmike, në një film të gjatë dhe në një film të shkurtër. Po ashtu, Basri Lushtaku do të jetë i angazhuar dhe në Teatrin Kombëtar, në të cilin është pjesë e trupës rezidente që 20 vjet.

Lushtaku ka falënderuar edhe aktorët Ismet Azemi dhe Adem Zhitopotoku, për punën që e kanë bërë së bashku në dramën “Katër Epoletat”.

“Dhe kur harmonia mes aktorëve është e mirë gjithnjë dhe rezultati nuk mungon, kjo harmoni nuk ka munguar qysh nga prova e parë që kemi filluar së bashku”, ka përfunduar Lushtaku.

Prtitshmëritë nga shfaqja e dramës

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Valdete Idrizi, në një intervistë për Portalin Dukagjini është shprehur se është gëzuar pa masë që Teatri i Mitrovicës “Muharrem Qena” me shfaqjen “Katër Epoletat” i ka rrëmbyer tri çmimet kryesore.

“Natyrisht, u ndjeva shumë krenare për këtë sukses të jashtëzakonshëm”, ka thënë Valdete Idrizi.

Idrizi ka shtuar se për këtë shfaqje ka pasur pritshmëri të lartë, duke marrë parasysh emocionet e forta që i ka dhënë të gjithëve që e kanë parë shfaqjen.

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Valdete Idrizi

“Perzgjedhja e aktorëve fillimisht dhe loja briliante e tyre, nën regjinë e Haqif Mulliqit, një regjisor i jashtëzakonshëm që i ka dhënë aq shume artit e në veçanti atij skenik, nuk ka pasur se si të mos më krijojë pritje të mëdha”.

Drejtoresha e DKRS-së në Mitrovicë ka treguar se kanë shumë plane si komunë, por prioritet është përmirësimi i kushteve të punës, duke përfshirë adaptimin dhe renovimin e sallës së teatrit dhe të gjithë objektit.

Ajo ka rrëfyer se ka filluar puna për rregullimin e çështjeve klimatike të teatrit të qytetit, duke shtuar se Qendra e Kulturës në Mitrovicë është përfituese nga fondi i efiçiencës, dhe në vjeshtë pritet renovimi. Ndërsa, për problematikat e tjera, Valdete Idrizi, ka thënë se po punojnë në vazhdimësi.

“Në përgjithësi, Mitrovicën do ta bëjmë qendër të teatrit e të kulturës!”, ka përfunduar Valdete Idrizi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika