Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se për shkak të vërshimeve në shumë rajone të Kosovës është turbulluar uji në rezervarët e akumulimit të ujit pijshëm.
“Aktualisht, si rezultat i reshjeve të shtuara ditëve të fundit, prurjeve të mëdha nga zonat fushore dhe shkarkim i i ujërave drenuese, në shumicën e resurse ujore si pasojë është vërejtur ngritje e vlerave të turbullirës”, ka njoftuar IKSHP-ja.
Nga kjo arsye, Instituti ka rekomanduar qytetarët që uji para përdorimit të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse.
Në cilat qytete nuk përmbushen standardet për ujë të pijshëm
Në njoftimin e IKSHPK-së, thuhet se turbullira të shtuara janë regjistruar në këto burime:
- KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: fabrika në Shkabaj dhe fabrika në Drenas.
- KRU “Mitrovica”- Rajoni Mitrovicë: fabrika në Shipolit- Mitrovice dhe fabrika në Balice- Vushtrrisë
- KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: burimin Drini I Bardhe –Radavc dhe burimi Shkoze-Junik
- KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës: burimi në Demjan dhe Gërqinë.
- KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kacanik
Ndërkaq, sipas njoftimit të tyre në mostrat e grumbulluara deri sot nga rajonet me të reshta të shtuara, analiza laboratorike fiziko-kimike rezultojnë me vlerë të ngritur të turbullirës e cila i tejkalon vlerat standarde të lejuara.
“Mostrat për ekzaminim bakteriologjik deri më sot rezultojnë brenda standardeve të parapara. Uji në rrjetet shpërndarëse nga këto sisteme për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës nuk është brenda standardit të paraparë”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në disa zona të vendit është krijuar një gjendje e rënduar si pasojë e vërshimeve. Ndërsa, gjendje emergjente është shpallur në Komunën e Skenderajt dhe Mitrovicës
Sipas komunikatës për media, policia si shkak i reshjeve të mëdha të shiut ka shtuar patrullimet dhe ka verifikuar situatën, duke u angazhuar së bashku me AME-në, Zjarrfikësit e Njësitet Emergjente komunale si dhe janë duke koordinuar veprimet për reagime në ato zona ku ka nevojë.