Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një ftesë nga presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të marrë pjesë në një takim me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Bruksel më 3 dhjetor 2024.
Megjithatë, për shkak të një agjende të ngjeshur dhe një vizite shtetërore tashmë të konfirmuar në Brunei, Osmani nuk do të mund të marrë pjesë.
Ftesën për këtë ngjarje, Osmani ka vendosur ta delegojë te institucionet e tjera të vendit, pas një koordinimi të ngushtë mes kabinetit të presidentes dhe atij të presidentit Costa.
“Më datë 5 nëntor 2024, Presidentja Osmani ka pranuar ftesë nga Presidenti i Këshillit të BE-së, z. Antonio Costa, për të marrë pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor më 3 dhjetor në Bruksel. Për shkak të agjendës ndërkombëtare të paracaktuar dhe vizitës shtetërore tashmë të konfirmuar në Brunei, ku Presidentja Osmani do të udhëtojë me ftesë të Sulltanit të Bruneit më datë 2-3 dhjetor 2024, kabineti i Presidentes e ka informuar kabinetin e Presidentit Costa për pamundësinë e pjesëmarrjes kësaj radhe. Rrjedhimisht, si rezultat i kësaj, është rënë dakord që ftesa të delegohet tek institucionet e tjera në Kosovë”, ka njoftuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, për RTK-në.
Pavarësisht mungesës në takimin e 3 dhjetorit, Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 18 dhjetor 2024, dhe për këtë arsye ka planifikuar një vizitë në Bruksel më 4 dhjetor. Aty, Osmani do të zhvillojë takime me Presidentin Costa dhe institucione të tjera të Bashkimit Evropian.
Konfirmohet përbërja e re e Komisionit Evropian – mandati nis më 1 dhjetor