Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, ka njoftuar se është shkarkuar nga pozita e tij.
Ai ka thënë se të martën, pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht, në zonën e liqenit të Batllavës, ka pranuar një email nga Zyra Kombëtare e Auditimit(ZKA) se është shkarkuar.
Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.
“Shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia për për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm”, ka shkruar Mulliqi.
Ai ka thënë se ka pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar”, ka shkruar tutje ai.
Ai këtë shkarkim e ka quajtur skandaloz, ndërsa ka falënderuar të gjithë qytetarët e Podujeves për përkrahjen.
Ndërkaq, portali Dukagjini ka tentuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi për këtë shkarkim, por ai nuk ka qenë i qasshëm.