Kryetari i Zveçanit ka shkarkuar sot nga detyra nënkryetaren e komunës, Natasha Tomaniq.
Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Zveçanit që është mbajtur në orën 10:00.
Aty është votuar për shkarkimin e nënkryetares, ku 17 vota kanë qenë pro shkarkimit, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Shkarkimin e nënkryetares e ka konfirmuar në një postim në Facebook, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
Ai ka thënë se vendimi është marrë sot në seancën e Kuvendit Komunal ku 17 asambleistë votuan pro shkarkimit të nënkryetares.
Sipas tij, nënkryetarja ka kaluar disa herë kompetencat e saj në punë.
Përveç kësaj, ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve serbë në Komunë të Zveçanit, ku si rrjedhojë tre zyrtarë serbë kanë dhënë dorëheqje ditëve të fundit.
Ndërsa, si shkas i fundit për shkarkimin e saj ka qenë një marrëveshje që nënkryetarja ka bërë me një kompani italiane për një objekt që është në pronësi të komunës se Zveçanit.