Numri i vendosur para çdo dere tregon saktë numrin e nxënësve në çdo klasë.
Bëhet fjalë për shkollën “Ismail Qemajli” në Prishtinë ku hapësirat për të mbajtur mësim nuk po janë të mjaftueshme për numrin e madh të nxënësve.
Për këtë kanë protestuar edhe disa prindër para kësaj shkolle.
“Ne konkretisht kemi kërkuar një klasë më të madhe, sepse fëmijët kanë qenë në klasë shumë të vogël. Kanë qenë të detyruar që të ulen nga tre nxënës. Kështu që procesi mësimor nuk ka vijuar si duhet, si në çdo klasë tjetër. Dhe kemi kërkuar që të na mundësohet një klasë më e madhe. Fëmijët të kenë shëndet e të mos u përkeqësohet dhe që të zhvillohet procesi mësimor në formë të rregullt”, ka thënë Diellza Gjinovci, prind i një nxënësi.
Në ndërkohë, se ka shumë ngarkesë e pranon edhe drejtoresha e kësaj shkolle Mimoza Krasniqi.
“Shkolla ka bërë kerkesë që me u nda në dy anekse ose cikli i ulët vec e cikli i lartë ndamas dhe Komuna na ka thënë që ka nda buxhet për këtë dhe besoj që ndërtimi i aneksve do ta rregulloj këtë problematikë”, ka thënë drejtoresha e shkollës, Mimoza Krasniqi.
Televizioni ka tentuar të marr një qëndrim edhe nga drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës por ata për dy ditë nuk janë përgjigjur.