Mbi kamerat e mençura të Përparim Ramës
Me sa entuziazëm e naivitet të rrezikshëm u prezantua ideja më e re e kryetarit të kryeqytetit për vëzhgimin total të qytetarëve e të vizitorëve. Gëzohuni popull po na thotë Rama, tash e tutje kamerat inteligjente do t’ju përcjellin në secilin hap, kur ecni, kur parkoheni, kur vozisni, kur pini kafe a ndoshta edhe naj birrë, kur e shtini gishtin në hundë apo ikni prej naj qeni endacak.
Rama na thotë se kamerat e mençura “do t’na ndihmojnë që përmes policisë, të bëjmë identifikimin e personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare … personat e përfshirë në vjedhje, rrahje ….personat të cilët me makina hynë gabim në rrugë njëkahëshe, bëjnë tejkalim në vijë të plotë ndarëse, apo udhëtojnë me veturë të paregjistruar, do të identifikohen menjëherë nga këto kamera, të cilat do të japin sinjalet në qendrën e monitorimit në polici.”
E, sipas zëvendësit të tij, Zogaj, ka qindra kamera të tilla dhe se plani është që këto kamera të vendosen kryesisht në vendet që kanë frekuentim më të madh të qytetarëve, siç janë udhëkryqet, sheshet kryesore dhe në parqe!
Rama e Zogaj ka mundësi të mos e dijnë, por vlera më e lartë e demokracisë perëndimore është integriteti e liria e individit dhe privatësia. Ndërsa, edhe me Kushtetutën tonë këto të drejta mbrohen e garantohen.
Me çfarë të drejte e autorizimi ju montoni “qindra kamera të mençura” për të spiunuar qytatarët e kryeqytetit. Kamera e mençur është pajisje, e cila fytyrën e qytetarit e ndërlidh me databazën e policisë, ku secili qytetar që ka letërnjoftim është i regjisruar dhe softueri i “mençur” e bën ndërlidhjen e menjëhershme, jo vetëm të kriminelit potencial e parkuesve të rrezikshëm, por të secilit njeri të pafajshëm që e kap kjo kamerë, pa lejen dhe dëshirën e tij.
Me çka apo si e garanton Rama/Zogaj që kjo “mençuri” e sistemit nuk do të keqpërdoret. A ka pasur debat publik apo çfarëdo shprehje demokratike të vullnetit qytetar për këtë mbikëqyrje staliniste?
Me çfarë procedure demokratike është legjitimuar kjo ndërhyrje e pashembullt në liritë tona? Në asnjë vend demokratik në botë nuk janë instaluar metoda të tilla spiunimi, pa marrë legjitimitet paraprak demokratik nga të monitoruarit ose së paku pa një debat shtjerrues publik!
Si mundet të garantohet siguria nga keqpërdorimi, meqë nuk ka ditë që nuk kemi raportime për shkelje e keqpërdorime nga zyrtarë policorë e të mos flasim për zyrtarë komunalë.
Me çfarë të drejte dëshiron kryetari e kushdo tjetër t’i monitorojë lëvizjet e shprehitë e banorëve të këtij vendi të lirë.
Qytetarët duhet ta dinë se kjo hap mundësi – për ta përdorur një frazë të parapëlqyer të Ramës- fantastike, për abuzim masiv me privatësinë e qytetarit. Për shantazhime e kërcënime, për përndjekje e ngulfatje lirie.
Është shkelje e të drejtave të garantuara me Kushtetutë, që askush nuk guxon të monitorohet pa arsye e vendim gjyqësor. Përdorimi i kamerave inteligjente është një invazion brutal në të drejtat individuale dhe privatësinë e kosovarëve.
Shoqëria civile e Ministria e Drejtësisë duhet të angazhohen, që jo vetëm të mos lejohet, por edhe të merren në përgjegjësi personat përgjegjës për këtë invazion ekstrem mbi lirinë e prishtinasve.
Komuna bën mirë të merret me punët ditore të saj. Të largojë cenimet kryesore të sigurisë në kryeqytet: qentë agresivë endacakë, gropat rrugëve të përlloçura, tollovitë në trafik, terri në rrugët e pandriçuara, kanalizimi që derdhet lagjeve pandërprerë, bërllogu trotuareve e të largohet nga ideja për ta sfiduar Kim Jong Un-in e Koresë Veriore.
E nëse Ramës i pëlqen shumë monitorimi me kamera: go to Big Brother VIP Kosova bro!!