
Një ditë më parë, në hapësirat e librarisë “Dukagjini”, u promovua libri “Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë” i autorit suedez Kjell Espmark, me përkthim nga Edita Kuçi-Ukaj, botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini” – e para në Kosovë që është bërë pjesë e projektit kulturor “Evropa Kreative”, me mbështetjen e të cilit solli edhe librin “Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë” si pjesë e kolanës “Effugium”.
Kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi, i cili ishte edhe pjesë e panelit të promovimit të librit “Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë” ndan me lexuesit një analizë për librin.
Arti kundër mendjes totalitare
(Lidhur me romanin e Kjell Espmarkut, “Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë”)
I. Totalitarizmi
A ka fuqi arti t’i kundërvihet me sukses totalitarizmit? Është kjo një pyetje e njohur që ka ndarë si asnjë temë tjetër shkrimtarët, filozofët, artistët dhe intelektualët e shekullit XX. Megjithëse krijuesit janë kritikë të vazhdueshëm të sistemeve shtypëse, ekzistojnë mendime se arti jo vetëm se nuk mund ta bëjë atë, por nuk duhet të prekupohet me të, për shkak të natyrës dhe të karakterit që ka vetë. Por ky fakt sikur nuk e brengos autorin Kjell Espmark, një poet, shkrimtar e humanist suedez (autorin e librit “Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë”), i cili nuk e vë fare në pyetje një gjë të tillë, thjesht, ai është i bindur që arti ka atë fuqi. Në përgjigje të kësaj pyetjeje të supozuar, ai ofron një fakt që nuk mund të kundërshtohet aq lehtë. Argumentin e bën me një pyetje retorike: a do të preokupoheshin pushtetet totalitare aq shumë me qëndrimet e krijuesve dhe me veprën e tyre nëse do të ishin të bindur se arti nuk e ka këtë fuqi? Mbi këtë premisë, ai analizon jetën dhe veprën e Bela Bartokut, angazhimet e tij në jetën publike në kohën e ngritjes së nazizmit në Hungari, hulumton thellësitë e fshehta përmbajtjesore të veprës së tij, orvatet të depërtojë madje në estetikën e opusit të këtij kompozitori, për të argumentuar tezën e tij.
Krijuesit, sipas definicionit të zejes së tyre, janë në gjendje që me imagjinatën e tyre të krijojnë një botë tjetër dhe mu për këtë arsye ata gjithmonë janë “të dyshimtë”. Andaj, siç thotë Espmarku, në këtë roman “mendësia goebelsiane (e cila ka në shënjestër Bartokun) frikësohet nga njerëzit e lirë, sepse ata janë njerëz që dinë dhe duan të mendojnë me kokën e tyre”.
Që nga titulli i librit, mund të vërehet se në roman jeta e kompozitorit Bela Bartok është e shkrirë me finesë të jashtëzakonshme, në sfondin e temës preokupuese të autorit – asaj të shoqërisë totalitare – dhe kjo temë gradualisht, gjatë rrjedhës së librit, fillon të dalë në plan të parë, saqë në fund fitohet përshtypja se emërtimi i saktë i librit lirisht mund të ishte edhe: Fuqia e artit kundër totalitarizmit.
II. Veprat e Bartokut – jopolitike
Çfarë e shtyu autorin Kjell Espmark të ndiqte me kaq pasion jetën e Bartokut? A ishte muzika e tij objekt interesi apo angazhimi konkret politik i kompozitorit? A janë të ndërthurura drejtpërdrejt muzika dhe politika në punën e tij kompozitioriale, siç ndodh në raste të ngjashme me shkrimtarët?
Bela Bartokut nuk i intereson politika. Bartoku nuk ka shkruar vepra me përmbajtje politike dhe nuk shërbehet me aludime politike e me përmbajtje dykuptimore, siç bëjnë shumë autorë, poetë, shkrimtarë, shkencëtarë, të cilët konfrontohen me aparate shtetërore. Përmbajtja dhe temat e zgjedhura në veprat e tij skenike, ku zakonisht përdoret syzheu letrar (dy balete dhe një operë – Le Château de Barbe-Bleue, Le Mandarin merveilleux, Le Prince de bois) nuk duken assesi që janë “problematike”. Përveç kësaj, është fakt i pamohueshëm se veprat e tij më markante janë nga fusha e veprimtarisë instrumentale (3 koncertet për piano, 2 koncerte për violinë, Koncerti për Orkestër, 6 Kuartete harkore, Muzika për harqe, perkusione dhe çelesta etj.). Në anën tjetër, Bela Bartoku, ndonëse nuk ka pasur origjinë hebreje, vendos që në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1940, të emigrojë në ShBA, sikur bëjnë në atë kohë një numër i madh muzikantësh, të cilët, siç dihet, detyrohen ta braktisin Evropën, si Arnold Schönberg, Ernst Krenek, Darius Milhaud, Bohuslav Martinů e shumë të tjerë (vetëm se, për çudi, Bartokun do ta akuzojnë si “hebre vullnetar”!). Është e vërtetë, Bela Bartoku ka pasur disa mospajtime të shprehura publikisht me politikën e shtetit hungarez të asaj kohe. Ai, siç dihet, ka kundërshtuar aleancën e Hungarisë me Gjermaninë naziste. Dihet gjithashtu se pasi nazistët erdhën në pushtet në vitin 1933, Bartoku ndaloi së dhëni koncerte në Gjermani dhe ndërpreu bashkëpunimin me botuesin e tij atje. Ai ishte kundër persekutimit të hebrenjve (ndoshta për këtë është etiketuar si “hebre vullnetar”!). Si provë materiale merret edhe fakti se Bartoku “është përfshirë në një komitet të Lidhjes së Kombeve dhe ka folur për vëllazërinë njerëzore, përtej kufijve racorë e nacionalë”. Ndërkaq nacionalistët hungarezë e sulmojnë për shkak se “Bartoku kujdeset për trashëgiminë popullore të popujve të tjerë”. Si është e mundshme që mbledhja dhe ruajtja e këngëve popullore të konsiderohet si vepër e inkriminuar! Në anën tjetër, si ka mundësi që një vepër instrumentale të jetë e dyshimtë, si bën që një kuartet harqesh të jetë kundër shtetit? Duket mjaft absurde! Edhe pse ndjekësit e tij e dinë që këto “faje” nuk janë bindëse, vendosin ta përcjellin Bartokun, të cilësuar, madje, si një person veçanërisht i rrezikshëm! Është evidente: ndjekësve të tij nuk u nevojiten faktet valide, ata veprojnë me intuitë, veprojnë me paragjykime! Ata deklarojnë: “Arti që qëndron jashtë çdo kontrolli burokratik ose kontrollit ushtarak, është gjithmonë i rrezikshëm”. Këto sulme janë të ngjashme dhe të njohura në vendet e Bllokut Lindor. Në parim, këto vendime jologjike dhe absurde të sistemeve të tilla qëndrojnë në proporcion me nivelin jodemokratik të shtetit të cilin ata mbrojnë, që do të thotë: sa më jodemokratik të jetë shteti, aq më absurde janë vendimet që ai merr.
III. Mbledhës i folklorit
Nëse lexuesi potencial mendon se në librin e Kjell Espmarkut do të gjejë detaje, informacione, vlerësime eksplicite për muzikën e Bartokut, sigurisht që do të zhgënjehet. Romen Rolani dhe Thomas Mani, në romanet e tyre për Beethovenin dhe për Arnold Shenbergun, emrat e këtyre kompozitorëve në librat e tyre i ndërrojnë (personazhet tash janë Zhan Kristofi dhe Adrian Leverkyhni), por nga teksti ju e kuptoni se për cilët kompozitorë bëhet fjalë.
Në këtë libër, autori flet kryesisht për vetëm një aspekt të jetës së kompozitorit, aspekt që i intereson në veçanti atij: për qëndrimin stoik të kompozitorit ndaj një të keqeje që i kanoset Evropës. Autori ka vendosur që ta zbulojë këtë, për shkak se Bela Bartoku është një prej figurave më të rëndësishme të muzikës evropiane të pjesës së parë të shekullit XX, është krijues, veprën e të cilit e admiron. Përveç kësaj, Kjell Espmarku impresionohet me ndërmarrjet shumë të veçanta të kompozitorit në fushën e muzikës: mbledhjen e folklorit muzikor. Gjithë ato ekspedita hulumtuese rraskapitëse që Bartoku bën nëpër fshatrat e atdheut të tij, por edhe në vendet fqinje, vetëm për të shënuar, mbledhur, analizuar dhe ruajtur folklorin e popujve të ndryshëm (siç dihet, Bela Bartoku është mbledhës i rreth 10.000 këngëve popullore të popujve të ndryshëm, këngë hungareze, sllovake, rumune, kroate, turke etj.), gjithë ato përpjekje të mundimshme bëhen për vetëm një qëllim: të mos humbet gjithë ajo pasuri popullore, pasuri e muzikës tradicionale të popullit të vet, por edhe e popujve të tjerë, popujve të Evropës. Por duhet thënë se Bartoku, mbi këtë muzikë tradicionale hungareze, por edhe mbi traditën e muzikës së popujve të tjerë, ndërton origjinalitetin e muzikës së vet. Këtë karakteristikë të muzikës së Bartokut, autori i romanit e pëlqen dhe e adhuron. Përmes saj, ai e zbulon personalitetin e vërtetë të kompozitorit dhe shpirtin e tij human.
IV. Struktura e librit
Struktura e librit është e thjeshtë. Pamja e parë është si vijon: në një restorant të qytetit francez Nîmes, është ulur çifti Bartok. Nga dritarja vështrojnë makinën (Citroën të zi) e ndalur përballë restorantit. Në të disa burra që, si duket, janë agjentë policorë që punojnë për llogari të okupatorit. Janë të bindur që këta hetuesit në makinë janë aty për t’i vëzhguar njerëzit ndaj të cilëve kanë dyshim se ikja e tyre nga vendi është ikje nga ndonjë përgjegjësi. Ata janë në Francën “e lirë” (Francën e Wich-it të gjeneralit Petain). Janë në dilemë se si të veprojnë. Përpiqen që hetuesit në makinë të mos diktojnë se këta tashmë e kanë kuptuar detyrën e tyre. Nga kjo sekuencë tipike filmike, autori zhvillon tregimin për Bela Bartokun, kompozitorin më të famshëm hungarez të pjesës së parë të shekullit XX dhe një prej figurave më të veçanta të muzikës evropiane të shekullit të kaluar.
Kjo skenë e parë e librit do ta përshkojë në esencë tërë rrjedhën e librit. Kjo atmosferë alternohet me dromca shpjeguese biografike të kompozitorit. Tërë kohën shpërfaqet ndjenja e ankthit se a do të arrijnë ai dhe gruaja e tij Ditta të ikin nga kjo çmenduri që e ka kapluar Evropën. Në momentin kur ata duhet të kalojnë kontrollet e fundit, për të dalë nga Franca (më pastaj për ta kapur anijen në Lisbonë që do t’i çojë në cakun e tyre në ShBA), ky çift ka ankth se ç’do të ndodhë me valixhen e tyre, e cila nuk përmban gjë tjetër përpos notave muzikore. Sepse ata e dinë se, në çdo segment të rrugës, ato nota mund të jenë të dyshimta.
Libri mbaron me një ton gati melankolik: dhimbja për muzikën “e pashkruar” të kompozitorit. Autori fillon të hulumtojë arsyet: është shëndeti i tij i ligë sigurisht një prej arsyeve që kompozitori shkroi aq pak, sikundër ishte edhe lufta e tij personale kundër perandorisë më të fuqishme të botës që e dëmtoi krijimtarinë e tij. A nuk janë ditët e kaluara në fshatra (në mbledhjen e këndimeve të fshatarëve) ditë të humbura, sepse “atë mund ta bënte edhe dikush tjetër”? Si përfundim, autori i librit mendon se “Bartoku është dashur të investojë çdo gjë për muzikën e vet, ai e ka keqmenaxhuar gjenialitetin e vet“.
R. Rudi
18.02.2025 Prishtinë
Shënim për kompozitorin dhe dirigjentin, Rafet Rudi
Rafet Rudi është kompozitor, dirigjent dhe mendimtar në fushën e publicistikës dhe të filozofisë së muzikës. Anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe të Arteve dhe personaliteti më i spikatur dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës. Ka shkruar veprat: kantatën Flijimi (1983), Fantasia in Si (1985) për violinë e piano, Koncerti për kitarë e orkestër (1986) etj. Ka punuar profesor në Akademinë e Muzikës në Prishtinë. Derisa, si shef-dirigjent i Korit të Filharmonisë së Kosovës mban koncerte në Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Shqipëri, Itali, Angli.