Shkupi refuzoi një kërkesë të Ukrainës për dhurimin e pajisjeve ushtarake

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut ka refuzuar një kërkesë të Ukrainës për ndihmë ushtarake

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut ka refuzuar një kërkesë të Ukrainës për ndihmë ushtarake, të nisur para një muaji.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, tha të enjten se kërkesa është refuzuar, pasi ndihma e kërkuar nga Kievi shfrytëzohet prej forcave të armatosura maqedonase.

“Kësaj radhe nuk ishim në gjendje t’i përgjigjemi pozitivisht kërkesës së re të Ukrainës për dhurimin e pajisjeve ushtarake nga Maqedonia e Veriut. Pajisjet e kërkuara janë të nevojshme dhe përdoren nga forcat e armatosura”, ka thënë Petrovska, pa saktësuar se çfarë konkretisht kanë kërkuar autoritetet ukrainase.

Megjithatë, ajo tha se Shkupi është i gatshëm për trajnime të reja të ushtarëve ukrainas në territorin e Maqedonisë së Veriut.

“Për momentin, Republika e Maqedonisë së Veriut, ushtria dhe ministria, mbeten të hapura, nëse në të ardhmen do të ketë nevojë për trajnim shtesë të një numri të pjesëtarëve të tyre. Por, në këtë moment nuk kemi njoftim, gjegjësisht nuk kemi kërkesë konkrete se sa pjesëtarë të ushtrisë ukrainase, dhe çfarë lloj trajnimi do të kryhet”, tha Petrovska.

Maqedonia e Veriut, në dy raste të tjera u është përgjigjur pozitivisht kërkesave nga Ukraina, duke dhuruar avionë dhe tanke të prodhimit rus, që nuk përdoreshin nga ushtria e Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, i gjithë armatimi, që i është dhuruar Ukrainës për mbrojtje prej pushtimit rus, kap vlerën e 24-30 milionë eurove.

Maqedonia e Veriut i dhuroi Ukrainës, 12 helikopterë Mi-24, tanke T-72 dhe avionë luftarakë Su-25 të prodhimit sovjetik.

Shumë prej tyre ishin jashtë përdorimit prej vitesh.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt 2022, Maqedonia e Veriut i ka miratuar të gjitha vendimet e Bashkimit Evropian për sanksione ndaj Moskës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika