Radhët e gjata para institucioneve dhe praktikat korruptive theksojnë nevojën për digjitalizimin e plotë të shërbimeve publike në Maqedoninë e Veriut.
Para ndërtesës së Drejtorisë për udhëheqjen e librave amë në Shkup, thuajse gjithmonë ka radhë qytetarësh që presin për të marrë shërbime të ndryshme: nga nxjerrja e certifikatës së lindjes, deri te caktimi i një termini për lidhjen e martesës ose regjistrimin e një të porsalinduri.
Pritja jo gjithmonë është e gjatë, por nervozizmi i atyre që qëndrojnë me durim në radhë rritet kur disa qytetarë, me “ndihmën” e njohjeve personale me nëpunësit, arrijnë t’i shmangin radhët.
“Vazhdimisht kalojnë njerëz pa radhë, qoftë për dorëzim apo marrje të dokumenteve. Pritja, megjithëse nuk është shumë e gjatë, por duket sikur të gjithë duan t’i përfundojnë punët përmes ‘lidhjeve'”, tregon qytetarja Stojna R. nga qyteti i Shkupit, e cila priste të nxjerrë një certifikatë nga libri amë i të lindurve për të realizuar një pagesë kredie bankare.
Në fakt, nëse aplikoni në mënyrë elektronike për një certifikatë nga regjistri i të lindurve ose të martuarve, përsëri do të duhet ta merrni atë në formë letre.
Shumë qytetarë pyesin pse për vite me radhë ky lloj shërbimi nuk është plotësisht i digjitalizuar, nga dorëzimi deri te marrja e dokumenteve, gjë që përveç qasjes më të thjeshtë, do të zvogëlonte edhe mundësinë për praktika korruptive.
Autoritetet prej vitesh premtojnë digjitalizimin e shërbimeve dhe institucioneve, por realiteti në ndërtesat e institucioneve nuk ndryshon shumë nga koha para zhvillimit të internetit dhe teknologjive të komunikimit.
Pamjet e radhëve në ndërtesën e Radio Televizionit të Maqedonisë (MRTV) ose para stacioneve të policisë janë ende të freskëta në kujtesën e të gjithë qytetarëve që së fundmi duhej të ndryshonin dokumentet e tyre personale për shkak të skadimit të afateve që erdhën me ndryshimin e emrit të shtetit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Sportelet ishin të mbushura me njerëz dhe caktimi i një termini për fotografi, për një kartë të re identiteti, pasaportë ose patentë shoferi me emrin e ri të shtetit, ishte pothuajse i pamundur.
Por, në ato momente qytetarët dëshmonin se kishte disa zyrtarë që “ndërmjetësonin” në kaos.
Pretendohet se për një shumë prej 1.000 denarësh (16 euro) ata merrnin të dhënat personale dhe numrat e telefonave të qytetarëve dhe premtonin se do t’i kontaktonin për dy-tri ditë që të vinin për të bërë fotografi, pa pritur radhë.
Shembuj të këtillë forcojnë edhe më tepër perceptimet se kur qytetarët kanë kontakt me institucionet, rreziku për korrupsion rritet ndjeshëm.
Kjo konfirmohet edhe në hulumtime të shumta të organizatave qytetare, si Metamorphosis, që analizojnë këtë fushë.
“Shërbimi digjital nuk është vetëm kur mund të shohim në mënyrë elektronike se cilat dokumente na duhen. Duhet të mundësojë përfundimin e plotë të procesit – nga dorëzimi, kërkesa, deri te marrja e dokumentit të nevojshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Dançe Danilovska, drejtoreshë e programit të organizatës qytetare Metamorphosis.
Sipas saj, skenat e radhëve të gjata para institucioneve, marrja e padrejtë e shërbimeve “përmes lidhjeve” dhe abuzimet që burojnë prej tyre, vetëm e konfirmojnë nevojën për një digjitalizim të plotë të shërbimeve publike në Maqedoninë e Veriut.
“Transparenca duhet të jetë në një nivel shumë të lartë për të reduktuar korrupsionin, ky është parakushti i parë”, thotë Danilovska.
“Parakushti i dytë është që digjitalizimin ta përdorim në drejtim të parandalimit të korrupsionit”, shton ajo.
Si shembull, ajo përmend portalin shtetëror open.finance.gov.mk, ku mund të ndiqen shpenzimet shtetërore, duke ua mundësuar qytetarëve, gazetarëve dhe shoqatave qytetare të identifikojnë abuzimet e mundshme të buxhetit shtetëror.
Megjithatë, Danilovska pohon se edhe ky portal nuk funksionon si më parë, ndërsa përgjigjja e autoriteteve ishte se arsyeja qëndron te një problem teknik.
Sipas analizave të organizatës, digjitalizimi nuk është zbatuar në mënyrë të barabartë në të gjitha nivelet. Një problem i veçantë është në nivel lokal, ku hulumtimet e kësaj organizate tregojnë se më pak se 40% e gjithsej 80 komunave sa janë në total, u ofrojnë qytetarëve të tyre grupe të dhënash me format të hapur.
Në nivel lokal, ku komunat ofrojnë shumë nga shërbimet e përditshme për qytetarë, zgjidhjet digjitale janë ose të pamjaftueshme ose nuk ekzistojnë fare, tregojnë hulumtimet e organizatës Metamorphosis.
Problemet janë të shumta: mungesa e kapaciteteve, infrastrukturës dhe financimit, por edhe mungesa e kuptimit të mjaftueshëm se cilat shërbime janë më të ndjeshme ndaj korrupsionit.
“Analiza tregon se është e nevojshme të krijohet një strategji kombëtare për shërbimet komunale dhe digjitalizimin në mënyrë që të gjithë, pavarësisht nëse njësia është nga qyteti apo fshati, të kenë të njëjtën përparim digjital. Gjithashtu është e nevojshme të organizohen trajnime për administratën komunale dhe autoritetet lokale të kryejnë anketime me qytetarët për shërbimet komunale që ata dëshirojnë t’u ofrohen”, thekson Danilovska.
Megjithëse organizatat qytetare kanë kërkuar krijimin e një strategjie të veçantë kombëtare për digjitalizimin në nivel lokal, përgjigja nga shteti ishte se problemi do të përfshihej në Strategjinë Kombëtare të TIK-ut.
“Për një digjitalizim të suksesshëm, nuk mjafton vetëm krijimi i platformave – nevojiten investime në infrastrukturë, financa, rritje të aftësive digjitale të qytetarëve dhe administratës, si dhe udhëheqja transparente e proceseve”, shprehet Danilovska.
Pavarësisht premtimeve të shumta nga ministrat e mëparshëm për transformim digjital, përparimi në këtë fushë mbetet ende i kufizuar.
Në podkastin “VMRO DPMNE-ja flet”, ministri aktual për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, prezantoi planet për digjitalizimin e shërbimeve publike me qëllim zvogëlimin e turmave nëpër institucione dhe përmirësimin e funksionimit të shërbimeve për qytetarë.
Ministri paralajmëroi një projekt për digjitalizimin e dokumenteve personale, i financuar me një grant prej 1.2 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.
Ky projekt, thotë ai, parashikon zhvillimin e një aplikacioni që do të bashkojë disa shërbime për qytetarët dhe do të përmbajë versione digjitale të kartës së identitetit dhe patentës së shoferit, që planifikohet të vihet në zbatim nga ky vit.
Në lidhje me digjitalizimin e arsimit, Andonovski theksoi se prindërit luajnë një rol kyç në mbrojtjen e të rinjve nga kërcënimet kibernetike, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të familjes në këtë proces.
Ministria planifikon të krijojë një qendër telefonike për mbështetjen e personave që përballen me rreziqe në internet, si dhe të bashkëpunojë me shkollat, pedagogët dhe psikologët për edukimin e fëmijëve dhe prindërve për përdorimin e sigurt të internetit.
Pavarësisht këtyre njoftimeve, mbetet për t’u parë nëse iniciativat e reja do të rezultojnë në përparim konkret në transformimin digjital të vendit, duke marrë parasysh dështimet e mëparshme në këtë fushë.
Maqedonia e Veriut së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë zotuar t’i përmbushin parimet e Agjendës Digjitale – një iniciativë e BE-së që ka për qëllim që qytetarët e rajonit të përfitojnë nga transformimi digjital dhe që duhet të modernizojnë administratën publike, të zvogëlojë ekonominë gri dhe korrupsionin, si dhe të rrisin transparencën.
“Në shumë institucione, transparenca varet nga vullneti politik dhe për këtë arsye digjitalizimi mund të përdoret për të parandaluar korrupsionin”, përfundon Danilovska.
Ndër vendet më të digjitalizuara në Evropë është Estonia, e cila ofron një gamë të gjerë e-shërbimesh, duke përfshirë mundësinë që të huajt të themelojnë dhe menaxhojnë kompani online.
Danimarka ka një infrastrukturë digjitale shumë të zhvilluar që ofron shërbime në shëndetësi dhe administratë, ndërsa Finlanda ka vendosur në fokus digjitalizimin e arsimit./REL