“Ai ishte një shembull i mirë me veprimtarinë e tij atdhetare e mendimin e tij të ndritur intelektual”.
Kështu e kujton Isak Shabani, në 24-vjetorin e zhdukjes, shokun e tij të qelisë, Ukshin Hotin.
Edhe pse në burg, Shabani thotë se ka pasur fatin ta njohë nga afër Hotin duke qëndruar nëpër qelitë e burgut të Mitrovicës, Nishit dhe Dubravës.
“Fatkeqësisht kom pasur fatin ta takojë në burg, kurse fatmirësisht kom pasur fatin ta njohë për së afërmi duke qëndruar nëpër qelitë e burgut së bashku”, ka thënë ai.
Shabani për Radio Dukagjinin ka thënë se Ukshin Hoti gjithmonë ka qëndruar stoik dhe asnjëherë nuk është përkulur para gardianëve kur e maltretonin atë dhe të burgosurit e tjerë.
“Kemi përjetuar ato torturat shtazarake nëpër burgjet serbe, kur na kanë sjellë në burgun e Nishit, kanë qenë dy korodona, që mesin e atyre korodonave është dashur me depërtu të gjithë të burgosrit politik që ishim aty. I vetmi ishte Ukshin Hoti i cili nuk e ka përkul kokën fare, domethënë nuk e ka mbrojtur as kokën po ka qëndruar vertikalisht. Na ka befasuar me qëndrimin e tij, duke ditur qëndrimin e tij, intelektualin e tij, na ka jep shpresë motiv, kjo ishte diçka që do të mbetet e paharruar”, ka thënë Shabani.
Shabani, tregon se Hoti gjithmonë ka pasur torturë më të veçantë nga gardianët, sidomos torturë psiqike.
Për herën e fundit me shokun e qelisë, u takuan më 16 maj 1999.
“Fatekqësisa më e madhe ishte që më 16 maj ka qenë ditë e diel, 1999 erdhën gardianët që e morën nga burgu ku qëndronte me ne, për ne ishte befasi se mendonim që do ta lironin të hënën se të dielën ishte pushim, nuk punonte asgjë. Por, ne të burgosurit na ka lënë shumë me shpresa, shpresa na ka mbajt, se ne shpresonim që atë ditë kur e kanë marr profesorin e nderuar, kemi menduar që mos ka ardhur një organizatë joqeveritare humantiare dhe e ka tërhjek parakohe, por më vonë e kemi kuptuar që kjo nuk ishte e vërtetë ata e kishin marrë dhe fatkeqësisht nuk dihet për fatin e tij”, ka thënë ai.
Në rrethana ende të pandriçuara, më 16 maj 1999 është zhdukur veprimtari i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti.