Portali Telegrafi për herë të parë në historinë e vet vjen me brend të ri, një identitet që ndriçon epokën e re me përjetim të avancuar teknologjik dhe ngërthen frymën tradicionale të Telegrafit.
Drejtori i Telegrafit, Gentian Lluka, në një intervistë në emisionin “Radar”, ka thënë se përmbajtja vizuale dhe e shkruar në Telegraf do të jetë e organizuar për t’iu përshtatur të gjitha preferencave.
“Vitin e kaluar kemi marrë një vendim që duhet të bëjmë diçka më tepër. Lexuesit kanë besim shumë të madh edhe që është kënaqësi për neve. Kemi marrë vendim që t’i bëjmë këto ndryshime duke fillu prej brendit, për të cilin kemi marrë kritika pozitive se pse po e ndryshojmë. Mirëpo, jo ne nuk po e ndryshojmë simbolin ikonik, atë do ta ruaj, sepse ajo është që e njohin të gjithë. Tri ngjyrat që do ta përfaqësojnë Telegrafin tash e tutje do të jenë, e zeza, e bardha dhe pink”, ka thënë Lluka.
Lluka ka thënë se Telegrafi tashmë do të shihet me një dimension ndryshe dhe pamje freskuese të re, e cila i përshtatet teknologjisë dhe nevojave të dekadës së sotme.
Sipas tij, ideja për këto ndryshime ka qenë zhvillimi i hovshëm i teknologjisë që ofron mundësi për të implementuar gjëra të reja.
“Do të ketë fotografi më të mëdha, tekste, tituj, është ridizajnu çdo sferë, çdo pamje, çdo lëvizje e Telegrafit dhe do të jetë bashkudhëtim me gjithë lexuesit”, shtoi ai.
Ndërsa, sa i përket asaj se sa është e vështirë të mbahet primati për besueshmëri, Lluka e quajti tejet sfiduese, mirëpo e gjithë kjo meritë tha se u shkon mbi 42 redaktorëve dhe gazetarëve të cilët punojnë me përpikëri në përmbajtje kualitative.
Portali, përveç se do të ofrojë një format të ri të leximit të lajmeve, do të sjellë edhe produkte të tjera si: Vendet e reja të punës, lojëra për argëtimin e lexuesve, horoskopin, lajme nga moti etj.
Portali Telegrafi ka filluar punën në dhjetor të vitit 2006 me vetëm 4 punëtorë, ndërkaq sot ka një staf prej 65 punëtorësh të cilët janë prezentë në tri vende të ndryshme, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.