Fati do të vendos se kush nga këta anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, do të vazhdojnë t’i mbajnë këto pozita.
Nga 13 sa janë tani, me plotësim-ndryshimet e reja të Ligjit për KPK-në, numri i anëtarëve do të bie në shtatë, prej tyre 4 prokurorë.
E reduktimi, sipas nenit 20-të, do të bëhet me short.
Sipas nenit 20, pika 3, “Jo më vonë se shtatë (7) ditë nga zgjedhja e të gjithë anëtarëve jo prokurorë, obligohet Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës që bashkë me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Avokatin e Popullit, të organizojnë dhe mbajnë shortin për të caktuar anëtarët e Këshillit që vazhdojnë të mbeten anëtar nga radhët e anëtarëve prokurorë të Këshillit”
Shorti do të ndahet në dy radhë.
Së pari do të hidhet short se cili anëtar do të mbetet në Këshill nga Prokuroria e Apelit apo Prokuroria Speciale.
Kurse, shorti i radhës do të hidhet për dy anëtarët prokurorë që do të mbesin pjesë e Këshillit nga radhët e Prokurorive Themelore.
Kjo formë po vlerëson se është e duhura, Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
“Të hartohet edhe një udhëzues i veçantë lidhur me procedurën se si do të zhvillohet shorti, për arsye se e shohim që është një procedurë e ndjeshme, prandaj hapat, mënyrë se si do të realizohet ish dashtë qe me u parapa me një udhëzues të veçantë”, ka thënë Salihu.
E pas kundërshtimit të plotësim-ndryshimeve të Ligjit, Këshilli Prokurorial ka ndërmarrë gjatë ditës një iniciativë tjetër.
KPK-ja ka kërkuar nga Avokati i Popullit që rastin ta dërgojë në Kushtetuese.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës dëshmon se mbetet i përkushtuar që kontestimin e këtij ligji ta bëjë vetëm nëpërmjet rrugëve kushtetuese dhe ligjore dhe do të vazhdojë të angazhohet për një sistem prokurorial të pavarur, të paanshëm, transparent dhe çdo herë në zbatim të ligjit”
Me këtë veprim të KPK-së, nuk po pajtohet shoqëria civile.
“Parimisht në situatën në të cilën ne jemi, i bie që ky ligj akoma nuk e ka krijuar asnjë efekt juridik, prandaj si i tillë edhe nuk mund të them se do të ishte mënyra më e mirë që tash me shku në kushtetuese”, ka shtuar Salihu.
Plotësim-ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokuroria kanë kaluar në dy lexime në Kuvendin e Kosovës.
Projektligji kishte shkuar për opinion edhe në Komisionin e Venecias.
Venecia i kishte dhënë dritë të gjelbër Qeverisë që dy prej anëtarëve të KPK-së të zgjidhen përmes Kuvendit, pikë që kishte ngjallur shumë reagime.