Deputetët e Listës Serbe ishin në Kuvend për t’i vazhduar pagat edhe dy herë të tjera pas sulmit terrorist në Banjskë. Por, atëherë Glauk Konjufca dhe deputetët e Vetëvendosjes nuk reaguan. Reaguan të enjten, për fushatë. Një shfaqje e dobët elektorale.
Imer Mushkolaj
Glauk Konjufca u përpoq të tregohet i ashpër të enjten me një grup deputetësh. Të tillë u përpoqën të tregohen edhe kolegët e tij të Lëvizjes Vetëvendosje. Përderisa deputetët ua zunë rrugën atyre të Listës Serbe, të cilët kishin shkuar në Kuvend vetëm sa për t’u nënshkruar, që të vazhdojnë të paguhen, kryetari i Kuvendit e cilësoi ardhjen e serbëve si provokim.
“Është më të vërtetë e patoleroueshme në Kuvend kjo sjellje. Një herë në gjashtë muaj vini në Kuvend vetëm që t’i keqpërdorni paratë e taksapaguesve. Në anën tjetër, e luftoni Republikën e Kosovës me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel, Radoiçiqit. Në të njëjtën kohë keni guxim me ardhë në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni”, iu tha Konjufca deputetëve të Listës Serbe.
Militantët e partisë së tij e shpërndanë këtë deklaratë në rrjetet sociale si goditje të fortë të kryetarit të Kuvendit ndaj Listës Serbe. Por, veprimi i Konjufcës është plot hipokrizi.
Nuk ishte hera e parë të enjten që deputetët e Listës Serbe shkuan në Kuvend sa për t’u nënshkruar, për t’i marrë pagat e majme. Së fundi kështu vepruan më 27 qershor të këtij viti. Por, atëherë Konjufcës nuk iu dëgjua zëri. A e dini pse? Sepse fushata zgjedhore ishte larg.
Konjufcës nuk iu dëgjua zëri as në rastet tjera të ngjashme. Ai iu tha deputetëve serbë se i rrinë gatitu shefit të tyre, Radoiçiqit. Por, të njëjtit deputetë, me të njëjtën qasje u panë në Kuvend edhe dy herë të tjera pas sulmit terrorist në Banjskë, në shkurt dhe qershor të këtij viti, pikërisht për t’i vazhduar pagesat. Konjufca heshti atëherë. Heshtën edhe deputetët e Vetëvendosjes, të cilët nuk ua zunë rrugën atëherë dhe nuk i penguan që të futen në Kuvend. Vetëm një herë, para një viti, Konjufca pat shprehur pakënaqësi në raport me këta deputetë, duke i kërkuar administratës së Kuvendit që t’ua ndalë mëditjet për një ditë. “Më e pakta që mund të kërkoj nga administrata është që të privohen nga mëditjet e sotme”, kishte thënë ai.
Por, të enjten situata ndryshoi. Glauk Konjufca u vu në krye të një show të lirë elektoral. Arsyetimi i militantëve? I pritshëm. Thanë që dështoi skenari i Listës Serbe që të votojnë diçka në Kuvend, në mënyrë që të raportohet se ata u bënë bashkë me Vetëvendosjen. Por, nëse jo të enjten, dy partitë janë bërë bashkë herë të tjera.
* * *
Lëvizja Vetëvendosje e Lista Serbe janë bërë bashkë kur në qershor të vitit 2022 miratuan projektligjin për përcaktimin e pagës minimale. Votimi ndodhi pas koordinimit të shefes së grupit parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lilës me Listën Serbe, përkatësisht me Radoiçiqin, të cilin të enjten Konjufca e përmendi si shefin kriminal të kësaj partie.
Të enjten u dëgjua edhe zëri i Kusari-Lilës, deputetes e cila ka komunikuar me Radoiçiqin.
“Sot ishim dëshmitarë të një provokimi nga ana e deputetëve të Listës Serbe. Ata, siç e kanë bërë zakon, shfaqen një herë në gjashtë muaj e në ndërmjet i bëhen krah jo qytetarëve të Kosovës, por terroristëve dhe gjithë atyre që i mbështesin politikat agresive të Vuçiqit. Po, siç e tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, s’kanë çka kërkojnë mbështetësit e kryeterroristit në Kuvendin e qytetarëve”, shkroi ajo në Facebook.
Por, as kësaj nuk i është dëgjuar zëri kur mbështetësit e kryeterroristit u panë në Kuvend dy herë pas sulmit në Banjskë. A e dini pse? Sepse zgjedhjet ishin larg. Tash partitë janë në fushatë dhe diskursi publik ndryshon. Por, provat mbeten. E provën më të fortë, atë të koordinimit të Kusari-Lilës me Listën Serbe dhe Radoiçiqin, e kanë dëgjuar qytetarët e Kosovës. Përtej deklarimeve të Vetëvendosjes se nuk do të bashkëpunojë me ta, kjo ka ndodhur.
Reagimi i së enjtes do të ishte parimor po të mos kishte pasur bashkëpunim. Andaj reagimi ishte plot hipokrizi. Ishte show i fushatës parazgjedhore. Shfaqje e dobët, që nuk duhet marrë seriozisht.