Qeveria e Kosovës, të enjten e 29 qershorit, i ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, këto dy organizata të cilat veprojnë në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë mbledhjes së qeverisë se “Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale “Mbrojtja Civile” dhe komponenti i saj “Brigada e Veriut”, paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”.
Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në lidhje me këtë vendim pati edhe një reagim nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh).
Departamenti Amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Washingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.
Zëdhënësi i DASh-it ka thënë se ShBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR”.
“Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi.
Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it. Dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët gjatë këtyre përleshjeve.
Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.
Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.
Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.
Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.
Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Kosova të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri.
Lexo edhe: ShBA: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, vendim i pakoordinuar