Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një dokument që po qarkullon në emaile të ndryshme kinse është lëshuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, është i falsifikuar.
Sipas sqarimit të Policisë, ky dokument përmban logon e policisë, qeverisë dhe vula të ndryshme e një mbishkrim të EUROPOL-it.
Ky dokument që njofton palën për veprime ligjore nuk është dokument zyrtar i Policisë por është dokument i falsifikuar për qëllime të caktuara, sqaron Policia e Kosovës.
“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtarë të lëshuar në emër të PK-së, i cili përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vula të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL-it, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për veprime ligjore, nuk është dokument zyrtar i Policisë së Kosovës, e aq më pak i lëshuara nga drejtori i PK-së, por janë e-maila me dokument të falsifikuar për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia njofton se ka filluar hetimet në koordinim me organet e drejtësisë, për verifikimin dhe zbulimin e kryerësve të veprës penale.
“Policia e Kosovës, njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve/mashtrimeve të tilla, dhe kushdo që mund të pranoj ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, thuhet në njoftim.