Policia e Kosovës mëngjesin e së premtes ka pranuar informata për një shpërthim në rrugën “Zekeria Cana”, në Prishtinë.
Policia thotë se shpërthimi erdhi nga një granatë dore.
Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar gjashtë vetura derisa pasoja në njerëz nuk ka pasur.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Policisë, Agron Borovci, për Dukagjinin.
“Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, vijon përgjigja.
Po ashtu, theksohet se “Përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje, ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit”.