Edhe pse ishte goxha rrezik nga shpërthimet e vazhdueshme të fishekzjarrëve, qytetarët provonin t’i dilnin në ndihmë një personi që ishte kapluar nga flakët.
Dy shitës ambulantë, njëri 25-vjeç e tjetri 21, pësuan lëndime, pasi dyshohet se aksidentalisht u ndezën mjetet piroteknike që vet po i shisnin në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren.
Njëri prej vëllezërve pësoi lëndime të mëdha, dhe për çka u transferua për në QKUK, kurse tjetri u lirua në shtëpi.
“Gjendje shumë, shumë e rëndë. Është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka… ai fatkeqësisht gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh”, ka thënë shefi i Emërgjencës, Agron Çitaku.
Hetimet për këtë rast po i vazhdon Policia.
“Pasi është shuar zjarri, policia ka bërë ekzaminimin në vendin e ngjarjes dhe ka mbledh prova dhe dëshmitë dhe do të vazhdohet me hetimet për veprën shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë zëdhënsi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqit Bytyqi.
Dëmet që ky incident shkaktoi vlerësohen jashtëzakonisht të mëdha.
Biznese në njërën anë, dhe banesa kolektive në anën tjetër kanë pësuar dëme nga shpërthimet e njëpasnjëshme.
Pamje të tilla kishin tmerruar qytetarët.
“Ka qenë si në luftë, pramë kemi dal këtu, kemi pa këtu katastrofë, vetëm këtu po mendoj që komuna ka faj, pse po lejon me shitë ato, ato janë eksploziv nuk janë petarta, se kur janë të grumbullum janë shumë rrezik”, ka thënë banori Nafiz Llokvica.
Ndërkaq, pronarët e bizneseve thonë se dëmet mund t’i mbulojnë vetëm me ndihmën e shtetit.
“Nuk ka pshtu asgjë, malli është i dëmtuar, malli është djegë, raftat janë djegë, përveç atyre edhe objekti është shumë i dëmtuar brenda presim prej komunës prej institucioneve le të vinë, por asnjë prej tyre deri tani nuk kanë ardhë”, ka thënë pronari i biznesit, Denis Dana.
Në vendin e ngjarjes ka dal edhe inspektorati i tregut, meqë shitja aty bëhej ilegalisht.
Vetëm në Emergjencën e QKUK-së kanë kërkuar ndihmë mbi 20 persona që kanë pësuar lëndime nga përdorimi i mjeteve piroteknike.