Policia e Kosovës ka dhënë detaje këtë të martë, më 1 janar, lidhur me shpërthimin aksidental të mjeteve piroteknike në Prizren.
Policia njoftoi se incidenti ka ndodhur në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, të martën në ora 21:30.
“Raportohet se ka ndodhur një shpërthim i zjarrit nga ndezja e mjeteve piroteknikë në një pikë-shitje në trotuar dhe si pasojë është përhap zjarri edhe në lokalet dhe ndërtesat për rreth kësaj pikë-shitjeje. Dy meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore, të cilët janë dërguar në Emergjencë në Prizren dhe më pas njëri prej të lënduarve për shkak të gjendjes së rëndë është dërguar në QKUK Prishtinë”, thuhet në raport.
Në vendin e ngjarjes janë shkaktuar dëme materiale në objekte si banesa, lokale dhe automjete.
Policia thekson se Njësiti i zjarrfikësve ka dalë në vend ngjarje dhe kanë arritur ta shuajnë zjarrin.