Një shpërthim ka ndodhur në fshatin Varagë të Zubin Potokut, duke shkaktuar dëme në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar rastin, duke deklaruar se ekipet policore po punojnë intensivisht për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok
Dëmtimi i kanalit ka shkaktuar rrjedhje të pakontrolluar të ujit dhe ka detyruar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica” të ndërpresë furnizimin me ujë të pijes për konsumatorët e saj.
Ndërkaq, siç ka mësuar Dukagjini, dyshohet se kjo ndërprerje mund të ndikojë në njërën prej termocentraleve të energjisë elektrike.
Në një njoftim, KRU “Mitrovica” ka informuar konsumatorët se dëmtimi në kanalin e Ibër-Lepencit ka ndërprerë furnizimin me ujë të papërpunuar dhe i ka këshilluar ata të sigurojnë rezerva të ujit të pijes deri në një njoftim të dytë.
“Si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit, nga i cili kanal ne furnizohemi me ujë të pa përpunuar, është ndërprerërë furnizimi me ujë të pijes.
Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijës. Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar. Ju faleminderit për mirëkuptimin tuaj!”, thuhet në njoftim.