Në mjekim intensiv qendror në Qendrën Klinike Universitare te Kosovës (QKUK) janë duke marrë trajtim mjekësor dy nga të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Madh të Mitrovicës. Kurse, një e lënduar tjetër është dërguar për trajtim në një qendër trajtimi në Gjermani.
Këto i ka për të ditur për Radio Dukagjinin shefi i mjekimit intensiv, Shaqir Uka, i cili ka theksuar se gjendja e përgjithshme e dy të lënduarve që po trajtohen në QKUK për momentin është stabile, pavarësisht që lëndimet janë mjaft serioze.
“Në orët e mesditës njëra nga tri pacientët është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në një qendër klinike në Gjermani. Gjendja e dy pacienteve të tjera paraqitet të jetë stabile, përkundër lëndimet nga djegia janë serioze, janë të shkallës së rëndë. Fatmirësisht ato paraqesin një gjendje stabile shëndetësore. Njëra prej pacientëve është moshës 12 vjeçare dhe ka lëndime në regjionin fytyrës dhe në ekstremitete, ajo është në frymëmarrje spontane, është e vetëdijshme. Kurse, pacientë tjetër, është moshës 56 vjeçare ka djegie të fytyrës dhe të dy ekstremiteteve të sipërme ajo vazhdon të qëndrojë e fjetur në barna dhe e varur nga aparatura mjekësore”, ka thënë Uka.