Patrulla e plazhit në Livadh, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Himarës, kanë ndihmuar të mërkurën e 13 korrikut, dy të mitur nga dallgët e larta të detit, jeta e të cilëve ishte në rrezik.
“Gjatë patrullimit të zonës së plazhit, nga shërbimet e planëzuara në plazhe, nga Komisariati i Policisë Himarë, si dhe ato të Policisë Kufitare, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt për pushuesit, është marrë njoftim nga salla operative për dy shtetas të mitur që ishin futur në det me një gomone plazhi, në plazhin“Livadh”, Himarë, të cilëve, për shkak të dallgëve të larta të detit, po iu rrezikohej jeta dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg”, shkruhej në postimin në Facebook, nga Policia e Shtetit.
Pas marrjes së njoftimit ekipet e shpëtimit janë organizuar dhe kanë shpëtuar të miturit.
“Shërbimet e Policisë i kanë nxjerrë në breg, në gjendje të mirë shëndetësore 2 fëmijët, të moshës 13-vjeçare, të cilët iu janë bashkuar familjarëve të tyre”.
Ndërsa, Policia e Vlorës ka ftuar qytetarët që në rast të kanosjes së ndonjë rreziku të lajmërojnë organet kompetente për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qyetarët, vizitorët dhe turistët.