Kjo është mënyra se si e presin 1 janarin tash e 11 vite. Fëmijë, burra e të moshuar të “Kroit të Vitakut” në Veri të Mitrovicës janë mbledhur tek familja Kadriu, në Qendrën e Kulturës “Kadri Kadriu”, për të shënuar ndërrimin e motmoteve.
E i zoti i shtëpisë thotë se kjo tanimë është bërë traditë.
“Traditën e vazhdojmë prej që kemi ardh këtu. Traditën e kemi nis me lagjen. Ju uroj shëndet, paqe, gëzim e harmoni dhe punë. Dhe i uroj liberalizimin që tash krejt munden me shku mu bashku. Kjo traditë e fishekzjarreve do vazhdoj sa t’jemi gjallë”, ka thënë Ali Kadriu, banor i Kroit të Vitakut.
Nipi i tij thotë se planifikon t’a vazhdoj atë.
“Më pëlqen se të gjithë jemi së bashku. Do të mendoj dhe ndoshta do e vazhdoj traditën. Dëshira ime për 2024, të jetë një vit i këndshëm dhe i mbarë”, thotë Yll Kadriu, 10-vjeçar.
Banorët thonë se organizimi ka një qëllim e njëherit, edhe një mesazh.
“Duhet të dinë që në fund të ditës këtu jetojnë njerz. Është nevojë e jonja t’i kthehemi normalitetit sepse tash si shkak i tensioneve këtu nuk ka qenë e mundur as festa të jetë festë. Shpresoj që dalëngadalë, ai normaliteti që është harru këtu të kthehet në këto pjesë”, ka theksuar Skender Sadiku, banor i Mitrovicës së Veriut.
Nga banorët thonë se rreth 70 shtëpi të shqiptarëve kanë filluar të rindërtohen në këtë pjesë të Mitrovicës.
Fishekzjarre u hodhën edhe tek Ura e Ibrit.
Ekipi i televizionit vizitoi edhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri. Nga ta u bë e ditur se nata e Vitit të Ri kaloi pa incidente.