Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar ndërprerjen e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës si pasojë e aksioneve të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, dhe analisti politik Afrim Kasolli, e shohin këtë si një goditje të rëndë për konsolidimin profesional të Policisë së Kosovës, një institucion i cili është ngritur falë mbështetjes së vazhdueshme ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA.
Sipas Qalajt, për shkak të veprimeve të pa koordinuara, policia tashmë është sanksionuar dhe nuk merr më pjesë në trajnime të FBI-së dhe Gjermanisë. Ai theksoi rëndësinë e një pavarësie të plotë operative të Policisë nga ndikimi i partive politike dhe qeverisë, siç përcaktohet në ligj.
“As një parti politike, as kush, as një politikan, pavarësisht a është i pozitës apo i opozitës nuk duhet të ketë tendenca të përzierjes në punët operacionale të policisë. Mund të them që PK-ja veç është sanksionuar nga ShBA-ja me qenë se ka vite që as kush me nuk shkon në trajnime në FBI. Me sa kam informata janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani e kështu me radhë, prandaj këto janë masat që janë duke u marr fatkeqësisht ndaj PK-së”, ka thënë Qalaj.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, gjithashtu ngriti shqetësimet për ndikimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe qeverisë në veprimet operacionale të policisë.
“Ka një kohë bukur të gjatë, ka dy tri-vite që ne jemi duke folur vazhdimisht mbi ndikimin direkt të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë së Kosovës në punët operacionale të Policisë së Kosovës. Në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje në qoftë në seancat e Kuvendit, qoftë në mbledhjen e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, mendoj që PK-ja duhet të punoj e pa varur nga aspekti operacional ashtu që përcakton edhe ligji i policisë dhe po ashtu PK-ja të mbështet sa më shumë edhe me buxhet por edhe me përkrahje nga qeveria dhe populli i Kosovës”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, analisti politik Afrim Kasolli shpjegoi se reagimet ndërkombëtare ndaj veprimeve të Qeverisë, veçanërisht në veri, kanë ardhur si pasojë e premtimeve të kryeministrit Albin Kurti për bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, veprime të njëanshme si përpjekja për hapjen e urës në Mitrovicë kanë ngritur tensione, dhe ndërprerja e bashkëpunimit nga SHBA do të ishte një goditje fatale për konsolidimin e shërbimit policor.
“Prej aksioneve të fundit të qeveria së Kosovës ka ndërmarr në pjesën veriore siç dihet janë disa të tjera për të cilat ajo është kritikuar në vazhdimësi nga bashkësia ndërkombëtare se me veprimet e saj të pa koordinuara po rrezikon me nxitjen e tensioneve etnike. Pa dyshim pika kulminante dhe kritike e krejt këtij zhvillimi ka qenë përpjekja e saj për të hapur urën në qytetin e Mitrovicës edhe për qarkullim të automjeteve si në pjesën veriore dhe jugore.
Mirëpo nëse e shohim në tersi bashkësia ndërkombëtare është e zemëruar me veprimet e qeverisë së Kosovës, pasi ata kanë pasur edhe premtime, kanë pasur edhe garancione sepse nëse i shohim deklarimet e tyre thotë se nuk po i mbani premtimet dhe garancionet që na keni dhënë se nuk do të veproni në mënyrë të një anshme në këtë pjesë”, ka thënë Kasolli.
Kasolli ka thënë se si shkak i këtyre veprimeve të qeverisë, ambasada amerikane ka kërcënuar se do ta ndërpresim bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.Ai ka thënë se një veprim i tillë do të ishte një goditje fatale në konsolidimin edhe me teje profesional të shërbimit policor të Kosovës, i cili, sipas tij, deri me tani siç është ndërtuar nuk mund të paramendohet se është bërë pa asistencën, mbështetjen dhe përkrahjen e ShBA-së.
“Ambasadori amerikan para pak dite kërcënoj se po ashtu do ta ndërpresim bashkëpunimin me Policinë e Kosovës nëse vazhdojnë aksione të tilla. Që nuk ka dyshim që një veprim i tillë do të ishte një goditje fatale në konsolidimin edhe me teje profesional të shërbimit policor të Kosovës, i cili deri me tani siç është ndërtuar nuk mund të paramendohet se është bërë pa asistencën, mbështetjen dhe përkrahjen e ShBA-së. Kjo flet për një situatë tejet të tensionuar dhe problematike në raportet e shtetit të Kosovës me aleatët ndërkombëtar.
Nuk ka masë më të madhe sanksionuese nëse paralizohet policia e Kosovës, ndërpritet bashkëpunimi me ShBA-në sepse i gjithë konsolidimi ose ndërtimi i kësaj strukture të deritanishme ka qenë e pa mundur të paramendohet pa asistencën dhe përkrahjen e ShBA-së”, ka thënë Kasolli për EO.
Në një reagim zyrtar, ambasada amerikane theksoi se instrumentalizimi i Policisë së Kosovës nga Qeveria për veprime të pakoordinuara është në kundërshtim me premtimet e Kosovës për bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, dhe kjo do të ndikojë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës përgjatë shumë viteve si pjesë e përkushtimit tonë për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nga ana e qeverisë për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës që të vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj”, thuhet më reagimin e ambasadës së ShBA-së të lëshuar më 30 gusht.