Shqipe Pantina i bashkohet LDK-së

Shqipe Pantina i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se nga e hëna e nëntë janarit, Shqipe Pantina është bërë pjesë e kësaj partie.

Kështu ka bërë të ditur vetë Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, i cili ka theksuar se Pantina ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Shqipe Pantina nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet shtëpisë sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata prestigjioze si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX”, ka thënë ai.

Kreu i LDK-së është shprehur i lumtur që Pantina është bërë pjesë e partisë, e cila, sipas Abdixhikut “është bërë adresa e vetme e profesionistëve”.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK. Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë”.

“Nga këtu, kështu e kemi për obligim t’i ofrojmë qytetarëve të vendit platformë politike të denjë për rrugëtimin e ardhëm që Kosova e meriton”.

Për aderimin e saj në LDK, ka shkruar edhe Pantina në Facebook.

Ajo ka theksuar se angazhimi i saj në politikë, gjithmonë ka pasur synim gjetjen e zgjidhjeve për problemet, me të cilat, përballet vendi.

Kjo, siç thotë Pantina, ishte edhe një ndër arsyet që e ka pranuar ftesën që të jetë pjesë e partisë opozitare, LDK.

“Ndihem e nderuar me ftesën e kryetarit Lumir Abdixhiku, të bëhem pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Angazhimi im në politikë çdoherë ka pas synim gjetjen e zgjidhjeve për problemet, me të cilat, përballet vendi ynë, andaj edhe e kam pranuar ketë ftesë dhe kam vendosur t’i kthehem sërish politikës aktive”.

Ajo ka potencuar se LDK, tani, është bërë adresë “ku shumë veprimtarë politikë, të reja e të rinj që duan të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë për vendin, familjen dhe veten e tyre, po i bashkohen kësaj partie”.

“Jam shumë e lumtur të bëhem pjesë e këtij grupi dhe shpresoj që më përvojën time profesionale dhe politike, të ndihmoj në hartimin e platformës programore që orientim ka zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Shqipja i ka të mbaruara studimet bazike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e studimeve evropiane.

Në vitin 2012, ka specializuar në Universitetin e Indianas të ShBA-ve, në fushën e sistemeve zgjedhore.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika