Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, u ka shprehur ngushëllime familjes të cilët humbën dy familjarët e tyre si pasojë e vërshimeve në Pejë.
Me anë të një postimi në Facebook, Peleshi e ka shprehur gatishmërinë e shtetit për mbështetje ndaj banorëve të Pejës.
“Ngushëllime familjes në Pejë për humbjen e dy jetëve, si pasojë e motit të keq. Komunikova me kryetarin e komunës së Pejës Gazmend Muxhaheri, të cilit edhe në emër të Kryeministrit i shpreha ngushëllimet dhe gatishmërinë për mbështetje në çdo kohë që banorët e Pejës dhe Kosovës të kenë nevojë. Pranë vëllezërve tanë në këtë ditë të vështirë”, shkroi Peleshi.
Ndryshe, një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeç, kanë vdekur të shtunën në Pejë, si pasojë e vërshimeve, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, nëna fillimisht është zhdukur, por është gjetur pas kërkimeve të ekipeve policore në lagjen “Asllan qeshme”.
Përveç tyre, në lagjen “Fidanishte”, po ashtu në Pejë, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital.
Kosova është përballur me vërshime në disa qytete edhe në janar të këtij viti.
Atëherë, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pati kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mundojë krijimin e një fondi emergjent për komunat, në raste të tilla.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.