Shqipëria ka vdekshmërinë më të lartë të foshnjave në rajon. Sipas një raporti të Eurostat, Shqipëria shënon 10.3 vdekje foshnjore për 1 mijë lindje.
Pas Shqipërisë renditet Kosova me normën më të lartë në rajon me 8.7 foshnje të vdekura për 1 mijë lindje. Më pas vijnë Maqedonia e Veriut me 5.6, Serbia me 4.8 dhe Mali i Zi me 2.4.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në shkallë vendi, në vitin 2020 humbën jetën 281 foshnja deri në 1 vjeç, ndërsa në vitin paraardhës 293 foshnja, niveli më i lartë që nga viti 2012.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu e cilësoi si shumë shqetësuese vdekshmërinë e foshnjave që ka ardhur në një rritje progresive prej vitit 2012 në Shqipëri.
Sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, ky është një tregues që lidhet me nivelin e sistemit pediatrik, farmaceutik, spitalor, ekonomik si dhe edukimin në tërësi të popullsisë apo konkretisht edukimin shëndetësor.
“Ne i jemi afruar nivelit të vdekshmërisë foshnjore që kemi pasur në kohën e komunizmit”, ka thënë Shehu.
Sipas tij, duke marrë parasysh rritjen e vdekjeve foshnjore, numrin e aborteve dhe uljen e lindshmërisë po zhduket popullsia.