Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar të hënën e 20 marsit seancën e parë stërvitore në fushën e Shtëpisë së Futbollit në kuadër të përgatitjeve për sfidën e parë të kualifikueseve të “EURO 2024”.
Nën urdhrat e trajnerit Sylvinho, “Kuqezinjtë” stërviten për herë të parë në këtë kompleks modern, ka njoftuar Federata e Futbollit Shqiptar.
“Që të gjithë lojtarët e ftuar janë paraqitur sot në këtë seancë të parë, ndërsa pjesa më e madhe kanë zhvilluar një seancë me ngarkesë të plotë stërvitore”.
FSHF-ja bëri të ditur gjithashtu se atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë shfaqur të motivuar maksimalisht në nisje të këtij edicioni të ri.
Shqipëria do të takohet me ekipin e kombëtarës polake, me 27 mars në stadiumin PGE Narodowy, Varshavë.
Seanca ka zgjatur për më shumë se një orë, ndërsa kuqezinjtë do të rikthehen të martën në fushë me dy seanca stërvitore sipas programit të paracaktuar nga stafi teknik.