Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin, në Bruksel.
Përmes një postimi në platformën X, Lajçaku ka bërë të ditur se çfarë është diskutuar në takim duke theksuar se të drejtat e pakicave janë kyçe në procesin e integrimit evropian.
“Si pjesë e ndërveprimeve të mia të rregullta me Ballkanin Perëndimor, pata një takim të dobishëm me Shaip Kamberin në Bruksel. Diskutuam tema të rëndësishme, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe të pakicave, të cilat janë çështje kyçe në procesin e integrimit evropian”, ka shkruar Lajçak, në X.
As part of my regular interactions with the Western Balkans, I had a useful meeting with @shkamberi in Brussels. We discussed important topics, including human and minority rights, which are key issues in the European integration process. pic.twitter.com/h1wkobqcbm
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 5, 2024
Për këtë takim, ka shkruar edhe Kamberi gjatë ditës. Ai ka njoftuar Lajçakun për “hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit” për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore dhe për “gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve”.
“Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë. Njoftuam z. Lajçak për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën”, ka shkruar Kamberi.
Ai është shprehur se mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, sipas tij, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Ai ka thënë se për këtë arsye komunat e banuara me shqiptarë janë ndër komunat më të pazhvilluara në vend.
“Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mugesës së tyre në gjuhën shqipe, vëshirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptar”, ka shkruar deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë.