Flamuri kombëtar është vendosur këtë 28 nëntor edhe në objektin e komunës së Preshevës.
Ardita Sinani kryetare në këtë komunë, e ka vendosur atë krah atij të shtetit serb, derisa në një adresim përmes Facebook, tha se është e padrejtë që Serbia u ndalon përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.
“Është fakt i trishtë që vetëm shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i Flamurit Kombëtar, një simbol i shenjtë që përfaqëson identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar. Ky akt është një shprehje e qartë e shtypjes sistematike që synon të zbehë identitetin dhe të drejtat tona legjitime si popull në këto troje”, ka thënë Sinani.
Për shkak të vendosjes së simboleve kombëtare shqiptare, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar shqiptar është dënuar disa herë. Ai tha se përkundër sanksioneve për këtë festë, shqiptarët në Luginë i janë përgjigjur thirrjes për të vendosur në çdo shtëpi nga një flamur kombëtar.
“Një flamur për një shtëpi sot anembanë Luginës së Preshevës shqiptarët kanë vendosur flamurin kombëtar në shtëpitë e tyre, për valuar e për të treguar se flamuri jonë kombëtar është flamur i lire, i barazisë dhe drejtësisë”, ka thënë Mustafi.
Flamuri kombëtar është vendosur edhe në objektin e Këshillit kombëtar shqiptar në Bujanoc.