Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj të hëne, derisa po kryente detyrën e tij është kërcënuar Dr. Shaqir Uka, i cili është shef i Mjekimit Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
ShSKUK njofton se kërcënimi ka ndodhur nga familjari i një pacienti të shtrirë në këtë njësi.
“ShSKUK dhe Klinika e Anestezionit e Mjekimit Intensiv Qendror dënojnë këtë akt, duke kërkuar nga organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe kryesi i kësaj vepre të marr dënimin meritor”, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës(ShSKUK).
Tutje thuhet se puna në Mjekimin Intensiv është punë nën presion për shkak se në këtë njësi luftohet për jetën e pacientit, “andaj kanosjet e tilla e vështirësojnë tejmase punën dhe pozitën edhe ashtu të rënduar të personelit në këtë njësi”.