Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se është duke i trajtuar rastet e raportuar së fundmi lidhur me kryerjen e operacionit në Klinikën e Urologjisë, pa anestezion, e po ashtu mosoperimin e pacientit tjetër dhe dyshimin se i njëjti është kryer në klinikë private.
Në reagim thuhet se janë duke i pritur raportet me shkrim nga klinikat përkatëse.
Gjithashtu, ShSKUK kërkon nga qytetarët se për çdo vështirësi gjatë trajtimit t’i drejtohen komisionit për ankesat e pacientëve.
“Menaxhmenti i ShSKUK-së ka kërkuar raport me shkrim nga dy klinikat përkatëse dhe jemi në pritjet të këtyre raporteve për të proceduar tutje me rastet. Po ashtu, ShSKUK fton të gjithë qytetarët që ka ankesa, apo vështirësi gjatë trajtimit shëndetësor në institucionet e ShSKUK-së, t’i drejtohen me shkrim Komision të Ankesave të pacientëve në ShSKUK, i cili do të shqyrtojë çdo ankesë dhe shqetësim të qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre.