Shtatë persona kanë mbetur të vdekur në Xhorxhi dhe Alabama, si pasojë e një stuhie të fortë dhe tornadoje që goditi të mërkurën dhe të enjten pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Autoritetet shtetërore kanë thënë se natën është qetësuar stuhia, por mijëra njerëz te të dyja shteteve kanë mbetur pa energji elektrike.
Siç njofton AP, gjashtë nga vdekjet janë regjistruar në Autauga County, Alabama, në verilindje të Selmës, ku afro 40 shtëpi janë dëmtuar dhe shkatërruar nga një tornado.
Ndërsa, 12 persona thuhet se kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në spitale përmes urgjencës.
Ndërkaq, autoritetet kanë bërë të ditur se të enjten në mbrëmje është punuar që të bëhet prerja e pemëve të rrëzuara për të kërkuar njerëz që mund të kenë nevojë për ndihmë.