Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nënë Tereza”), do të promovojë librin “Aneta: një epos heroinash” të autores Anne Weber, i cili vjen në kuadër të kolanës “Effugium” – projekt i mbështetur nga “Evropa Kreative”.
Jua rikujtojmë se “Dukagjini” është shtëpia e parë botuese nga Kosova që është bërë pjesë e projektit kulturor “Evropa Kreative”, me mbështetjen e së cilës botohet edhe ky libër.
Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë: Ana Kove, përkthyese e librit; dhe Blerta Ismajli, profesore në Universitetin e Prishtinës. Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi.
𝗥𝗿𝗲𝘁𝗵 𝗹𝗶𝗯𝗿𝗶𝘁: “Aneta: një epos heroinash” është titulli i një romani biografik, nga shkrimtarja gjermane Anne Weber, botuar në vitin 2020. Libri bazohet në rrëfimet dhe takimet me Anne Beaumanoir-in, si dhe në librin e saj me kujtime, të botuar në Francë në vitin 2000. Anne Beaumanoir (1923–2022), në të cilin u bazua personazhi Aneta, ishte një mjeke franceze. Ajo shpëtoi disa hebrenj nga vdekja në Francën e pushtuar, gjë për të cilën, së bashku me prindërit e saj, mori titullin e nderit “Righteous Among the Nations nga Yad Vashem”. Në vitin 1959, ajo u dënua me dhjetë vjet burg për mbështetjen e saj të Frontit Nacional Çlirimtar Algjerian në Luftën Algjeriane.
𝗥𝗿𝗲𝘁𝗵 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗿𝗲𝘀: Anne Weber është shkrimtare dhe përkthyese gjermane. Nga viti 1989 deri në vitin 1996 ajo punoi në shtëpi të ndryshme botuese franceze. Ajo, gjithashtu, përktheu në frëngjishte tekste të autorëve bashkëkohorë gjermanë. Veprat e saj letrare janë vlerësuar me disa çmime të vlershme për letërsinë, ndërsa me përkthimin e saj: “Pierre Michon”, ajo mori çmimin evropian të përkthimit, “Europäischer Übersetzerpreis Offenburg”, si dhe u nderua edhe me Çmimin Gjerman të Librit 2020, pikërisht për librin “Aneta: një epos heroinash”. Anne jeton në Paris që nga viti 1983.
Të gjithë ju, dashamirë të librit, jeni të ftuar në këtë promovim, ku do të mund të diskutoni për këtë botim mjaft të veçantë.