Të mërkurën e 31 gushtit, shtëpia botuese “Dukagjini”, ka prezantuar abetaren e unifikuar.
Kjo abetare vjen si rezultat i bashkëpunimit të dy ministrive të Arsimit, të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe dy shtëpive botuese fituese “Dukagjini” dhe “Pegi”.
“Abetarja e re vjen si paketë e kompletuar, e përbërë nga: Libri i nxënësit, Fletorja e punës, Libri i mësuesit dhe versioni digjital i Librit të nxënësit. Për këtë moshë nxënësish, është e rëndësishme që të mësojnë nga kombinimi tekst-ilustrim, që e karakterizon Abetaren e re”, thuhet në njoftim.
Po ashtu thuhet se çdo tekst në abetare ka vlerë edukative, saktësi shkencore dhe është në përputhje me moshën, mundësitë njohëse dhe interesat e nxënësve.
Abetarja vjen edhe në versionin digjital, ku nxënësit përmes interaktivitetit, mund t’i shikojnë videot e njësive mësimore, t’i shkruajnë shkronjat, t’i zgjidhin detyrat e dhëna dhe të marrin përgjigje automatike për saktësinë e tyre.
Ndërkaq, më 8 korrik, shtëpitë botuese “Pegi” nga Shqipëria dhe “Dukagjini” nga Kosova janë konfirmuar si fituese të konkursit për botimin e Abetares së përbashkët, mbarëkombëtare.
Abetarja e përbashkët mbarëkombëtare do të jetë në duart e nxënësve më 1 shtator 2022, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Përzgjedhja e shtëpive botuese fituese është bërë më 31 maj.
Sidoqoftë, nga ajo datë, ka nisur periudha prej 15 ditësh për ankesa, në rast se kanë të tilla shtëpitë e tjera botuese.
Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri është rezultat i mbledhjes dhe marrëveshjes së dy qeverive, në nëntor të vitit 2021.
Kjo abetare do të jetë e dyta pas vitit 2012, kur ishte përzgjedhur abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Megjithatë, derisa në Kosovë përdorej një, në Shqipëri ishin lënë disa sosh si opsione, duke bërë të mos ketë një abetare të njëjtë.
Po ashtu edhe ministria e Arsimit në Shqipëri ka njoftuar se Abetarja e Përbashkët Unike tashmë është gati, dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.
Ndërkaq më 20 gusht, ministrja Nagavci kishte bërë të ditur se ministrja e Arsimit në Shqipëri do të jetë prezente në fillimin e vitit të ri shkollor në Kosovë për të përuruar abetaren e përbashkët, dhe njëjtë do të jetë edhe Nagavci në Shqipëri.
Ministria e Arsimit në Shqipëri njofton se viti i ri shkollor do të nisë me abetaren e përbashkët