Panairi i 27-të i Librit në Tiranë tashmë po afrohet. Në këtë panair, ashtu si çdo vit tjetër, do të marrë pjesë edhe shtëpia botuese “Dukagjini”.
Me një përzgjedhje të kujdesshme e punë të gjatë, “Dukagjini” edhe kësaj radhe vjen me një numër të konsiderueshëm të botimeve nga fusha të ndryshme, si: botime të veprave klasike nga letërsia, botime nga filozofia, sociologjia e psikologjia, si dhe botimet klasike të dëshmuara për të vegjlit tanë, nga autorë shqiptarë e botërorë. Po ashtu, përmes imprintit “Lekë”, kemi sjellë në shqipe botime aktuale që lexohen në gjithë botën.
Kolanat, si: “Fryma”, “Klasikët”, “Anima”, “Effugium”, “Hermann Hesse”, pastaj seria e lektyrave shkollore, botimet “Lekë”, si dhe botimet e veçanta të autorëve të huaj e shqiptarë, për të rritur dhe fëmijë; të gjitha janë pasuruar me tituj të rinj dhe shumë të veçantë që presin të shfletohen nga ju.
Përgjatë pesë ditëve sa do të zgjasë Panairi, shtëpia botuese “Dukagjini” ju fton për diskutime mbi procesin e botimit, librat e rinj, kolanat, përkthimet, letërsinë e çdo temë që lidhet me librin në veçanti e artin në përgjithësi.
Ju rikujtojmë se Panairi i 27-të i Librit mbahet nga 13 deri më 17 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe shenjon ngjarjen më të rëndësishme e më të madhe të librit shqip. Në të marrin pjesë botues nga të gjitha trevat shqiptare.