Shtëpia e Bardhë: Asnjë balonë amerikane nuk ka fluturuar mbi Kinë

Shtëpia e Bardhë ka mohuar akuzën e Pekinit se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar balona mbi Kinë për të kryer mbikëqyrje, pasi tensionet rreth spiunazhit rriten mes dy superfuqive

Balona kineze e rrëzuar nga SHBA-të.

Shtëpia e Bardhë mohoi të hënën akuzën e Pekinit se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar balona mbi Kinë për të kryer mbikëqyrje, teksa tensionet rreth pajisjeve të spiunazhit po rriten mes dy superfuqive.

“Çdo pretendim se qeveria amerikane operon me balona vëzhgimi është i pavërtetë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson në Twitter, duke shtuar se është Republika Popullore e Kinës “që ka një program të balonave të mbikqyrjes për mbledhjen e inteligjencës”.

Kina, më herët gjatë ditës tha se më shumë se 10 balona amerikane kanë fluturuar mbi hapësirën e saj të lartë ajrore gjatë vitit të kaluar, pa lejen e saj, pas akuzës së Uashingtonit se Pekini po operon një flotë balonash vëzhgimi në mbarë botën.

Pretendimi kinez vjen pasi SHBA-ja rrëzoi një balonë të dyshuar spiune kineze që kishte kaluar nga Alaska në Karolinën e Jugut, duke ndezur një krizë të re në marrëdhëniet dypalëshe që kanë arritur në nivelin më të ulët në dekada.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin nuk dha detaje në lidhje me balonat e supozuara të SHBA-së.

“Është gjithashtu e zakonshme që balonat amerikane të hyjnë ilegalisht në hapësirën ajrore të vendeve të tjera”, tha Wang në një konferencë të përditshme. “Që nga viti i kaluar, balonat e SHBA-së në lartësi të mëdha kanë fluturuar ilegalisht mbi hapësirën ajrore të Kinës më shumë se 10 herë pa miratimin e autoriteteve kineze”, shtoi ai.

Wang tha se SHBA duhet “së pari të reflektojë për veten dhe të ndryshojë mënyrën e diskutimit, në vend që të njollosë dhe të nxisë një konfrontim”.

Kina thotë se balona e rrëzuar nga SHBA ishte një aeroplan pa pilot i krijuar për kërkime meteorologjike që ishte zhvendosur nga kursi për shkak të erërave të forta. Ajo ka akuzuar SHBA-në për reagim të tepruar duke e rrëzuar atë, dhe kërcënoi se do të ndërmarrë veprime, por nuk saktësoi se cilat janë ato.

Pas incidentit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shtyu vizitën e planifikuar për Pekin, që ishte paraparë të ndodhte disa ditë pasi u zbulua balona e parë. Ky do të ishte udhëtimi i parë i një kryediplomati amerikan në Kinë për shumë vjet.

Gjithashtu të hënën, Filipinet akuzuan se një anije e rojes bregdetare kineze kishte shënjestruar një anije të rojes bregdetare filipinase me një lazer të shkallës ushtarake dhe verboi përkohësisht një pjesë të ekuipazhit të saj, duke e quajtur atë një shkelje “të hapur” të të drejtave sovrane të Manilës.

Wang, në anën tjetër tha se një anije e rojes bregdetare të Filipineve kishte shkelur në ujërat kineze pa leje më 6 shkurt dhe se anijet e rojes bregdetare kineze u përgjigjën “profesionalisht dhe me përmbajtje”.

“Kina dhe Filipinet po ruajnë komunikimin përmes kanaleve diplomatike në këtë drejtim”, tha Wang.

Duke shtuar tensionet, të dielën, një avion luftarak ushtarak amerikan shkatërroi një objekt të paidentifikuar mbi liqenin Huron me urdhër të presidentit Joe Biden.

Ky shënoi incidentin e katërt të tillë në harkun kohor të tetë ditëve dhe është vazhdimësi e serisë së veprimeve ushtarake mbi hapësirën ajrore amerikane.

Balona kineze e rrëzuar nga SHBA ishte e pajisur për të zbuluar dhe mbledhur sinjale të inteligjencës, si pjesë e një programi të madh të mbikqyrjes ajrore të lidhur me ushtrinë që synonte më shumë se 40 vende, deklaroi administrata Biden të enjten, duke cituar imazhe nga aeroplanët spiunë amerikanë të tipit U-2.

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime ekonomike për gjashtë entitete kineze, për të cilat thuhet se janë të lidhura me programet e hapësirës ajrore të Pekinit, si pjesë e përgjigjes së saj ndaj incidentit.

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së gjithashtu votoi unanimisht për të dënuar Kinën për një “shkelje të pacipë” të sovranitetit të SHBA-së dhe përpjekjet për të “mashtruar komunitetin ndërkombëtar përmes pretendimeve të rreme për fushatat e saj të mbledhjes së inteligjencës”.

Wang, zëdhënësi kinez, hodhi poshtë pretendime të tilla nga ana e Kinës, duke thënë, “shqitja e shpeshtë e raketave të avancuara nga SHBA për të rrëzuar objektet është një reagim i tepruar dhe i mbisforcuar”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika