Shtëpia e Bardhë kërkon mbrojtjen e publikut nga inteligjenca artificiale

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të enjten një sërë masash për t'i adresuar sfidat e Inteligjencës Artificiale, të nxitura nga popullariteti i papritur i produkteve të tilla si ChatGPT dhe mes shqetësimeve në rritje për rreziqet e mundshme të teknologjisë për diskriminim, dezinformim dhe cenimin e privatësisë

Foto ilustrim

Shefat e teknologjisë janë thirrur në Shtëpinë e Bardhë dhe janë këshilluar që ta mbrojnë publikun nga rreziqet e Inteligjencës Artificiale (AI).

Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Sundar Pichai nga Google, Satya Nadella nga Microsoft dhe Sam Altmann nga OpenAI e kanë “detyrë morale” ta mbrojnë shoqërinë.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se mund ta rregullojë më tej sektorin.

Produktet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT dhe Bard, të vëna në funksion së voni, kanë rrëmbyer imagjinatën e publikut.

Ato u ofrojnë përdoruesve të zakonshëm mundësi për të bashkëvepruar me atë që njihet si “inteligjencë artificiale gjeneruese”, e cila mund të përmbledhë informacione nga burime të shumta brenda sekondave, të shkruajë prezantime, e madje edhe poezi, që tingëllojnë në mënyrë të besueshme, sikur të jenë të shkruara nga njerëz, raporton BBC.

Zbulimet e tyre kanë ngjallur debat të ri mbi rolin e AI në shoqëri, duke ofruar një ilustrim të prekshëm të rreziqeve dhe përfitimeve të mundshme të teknologjisë së re.

Drejtuesve të teknologjisë, të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë, u është thënë se u takon firmave “të garantojnë sigurinë e produkteve të tyre”

Ata, po ashtu, janë paralajmëruar se administrata e presidentit Joe Biden është e hapur ndaj rregulloreve dhe legjislacionit të ri për të mbuluar inteligjencën artificiale.

Sam Altmann, shefi ekzekutiv i OpenAi – firmës që qëndron pas ChatGPT-it – u ka thënë gazetarëve se, sa i përket rregullores, udhëheqësit e teknologjisë “kanë ndarë të njëjtin mendim për atë që duhet të ndodhë”. Altmann nuk ka ofruar më shumë detaje.

Zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris, ka thënë pas takimit se teknologjia “ka potencialin të rrisë në mënyrë dramatike kërcënimet ndaj sigurisë, të cenojë të drejtat civile, privatësinë dhe të gërryejë besimin e publikut në demokraci”.

Sektori privat ka “përgjegjësi etike, morale dhe ligjore për ta garantuar sigurinë e produkteve të tij”, ka deklaruar ajo.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka ndarë 140 milionë dollarë nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës për të krijuar shtatë institute të reja kërkimore të inteligjencës artificiale.

Thirrjet që rritja dramatike e inteligjencës artificiale në zhvillim të rregullohet më mirë, kanë ardhur shumë dhe shpejt, si nga politikanët, ashtu edhe nga drejtuesit e teknologjisë.

Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, personi që është konsideruar “babai” i inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton, ka lënë punën e tij në Google, duke thënë se është penduar për punën që ka bërë.

Ai ka thënë se disa nga chatbot-et e inteligjencës artificiale janë “mjaft të frikshme”, duke paralajmëruar se ata mund të bëhen më inteligjentë se njerëzit dhe mund të shfrytëzohen nga “aktorë të këqij”.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika