Në mbrëmjen e së dielës së 10 korrikut një person në Brod të Shtërpcës pas rrëzimit në oborrin e shtëpisë së tij, është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, i cili më pas ka ndërruar jetë.
Si shqetësim nga kjo ngjarje, tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj ka marrë edhe gruaja e të ndjerit.
Këtë e ka konfirmuar për portalin Dukagjini, zëdhënësi për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli.
Ndërsa për ngjarjen e njëjtë, disa media vendore kanë raportuar se 75-vjeçari ishte rrahur nga djali i tij.
Por Milazim Avdiu, djali i të ndjerit nga fshati Brod i Shtërpcës për këtë ngjarje ka thënë se “Nuk është i vërtetë lajmi se babai im Izet Avdiu ka vdekur pasi është rrahur nga djali. Ai para 4 viteve ka pasur infarkt ndërsa mbrëmë ka pasur vdekje të natyrshme. As nëna ime nuk është rrahur por në emergjencë e kemi dërguar sepse i është përkeqësuar gjendja për shkak të vdekjes së babait”.
E as raporti i Policisë nuk e pohon një gjë të tillë.
“Me datën 10.07.2022 rreth 21:16 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion në Qendrën Emergjente në Ferizaj, një person me inicialet I.A i moshës 75 vjeçare është sjellë në gjendje jo të mirë shëndetësore nga familjarët e tij. Më pas, mjekët kujdestarë pas tretmanit mjekësor, kanë konstatuar se i njëjti ka vdekur (vdekje natyrshme)”, tha Veseli.
Sipas Veselit, lidhur me këtë ngjarje, policia dhe hetuesit nga stacioni në Shtërpcë, i kanë kontaktuar familjarët e viktimës dhe deshmitarët dhe kanë dalë edhe në vendin e ngjarjes në fshatin Brod të Shtërpcës.
Ai ka shtuar se sipas familjarëve, viktima është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore në shtëpinë e tyre.
“Në lidhje me këtë është informuar edhe Prokurori nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, dhe me vendim të tij është inicuar shënim zyrtar. Nuk ka asnjë dyshim tjetër”, ka theksuar Veseli.
Portali Dukagjini ka tentuar të kontaktojë edhe me Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, por ende nuk ka marrë përgjigje.