Shtetet e Baltikut shkëputen nga rrjeti energjetik rus

Tri shtetet e Baltikut më 8 shkurt shkëputen nga rrjeti i energjisë elektrike të Rusisë dhe i bashkohen rrjetit të Bashkimit Evropian.

Ky është kulmimi i një procesi disavjeçar që fitoi urgjencë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

Estonia, Letonia dhe Lituania – që dikur ishin republika sovjetike dhe tani janë anëtare të BE-së dhe NATO-s – duan që të bllokojnë aftësinë e Rusisë për shantazh gjeopolitik përmes sistemit të energjisë elektrike.

“Ne kemi hequr çdo mundësi teorike të Rusisë për të përdorur kontrollin e rrjetit energjetik si armë”, tha ministri lituanez i Energjisë, Zygimantas Vaiciunas, për AFP-në.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas – ish-kryeministre e Estonisë – të premten e cilësoi shkëputjen e shteteve të Baltikut nga rrjeti rus si “fitore për lirinë dhe unitetin evropian”.

Vaiciunas tha se shtetet e Baltikut kanë përfunduar procesin e shkëputjes në orën 09:09 të së shtunës.

“Ne e kemi pritur këtë moment për një kohë të gjatë”, tha Vaiciunas.

“Sistemi energjetik i shteteve të Baltikut më në fund është në duart tona. Ne tani e kemi nën kontroll”, shtoi ai.

Pas shkëputjes, shtetet e Baltikut tani po operojnë me “metodën e izolimit”, para se të integrohen me rrjetin evropian të dielën.

Në tri shtetet e Baltikut do të organizohen festime zyrtare për shkëputjen nga rrjeti rus.

Baltiku për një kohë të gjatë është përgatitur për t’u integruar në rrjetin evropian, por ishte përballur me probleme teknologjike dhe financiare.

Shkëputja nga rrjeti energjetik rus u bë më urgjente pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, gjë që nxiti frikë në mesin e shteteve të Baltikut se ata mund të ishin shënjestra e radhës.

Pas nisjes së pushtimit, ata ndaluan së bleri gaz dhe energji ruse, por rrjetet energjetike të tri shteteve vazhduan të ishin të lidhura me Rusinë dhe Bjellorusinë, e të kontrolluara nga Moska.

BE-ja në përgjithësi ka ulur në mënyrë drastike konsumimin e energjisë ruse, që kur nisi lufta në Ukrainë./Radio Evropa e Lire

Shija e redaktorit

Laura Fazliu stoliset me medalje të bronztë në Linz Grand...

Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prix Upper, që po mbahet në Austri. Medalistja olimpike shënoi tri fitore në...

ShSKUK: Mbi 17 mijë lindje u kryen gjatë vitit 2024

Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë kryer 17 mijë e 495 lindje në...

Përurohet investimi i Dukagjinit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në...

Fëmijët e nivelit parashkollor në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, kishin festë vetëm një ditë para ditës së mësimdhënësve të tyre. Atyre, iu është...

Të fundit nga rubrika