Shteti dështoi ta mbrojë 35-vjeçaren shtatzënë, gjithçka që dihet për vrasjen në oborrin e QKUK-së

Të mërkurën e 30 nëntorit, një grua shtatzënë 35-vjeçare ka vdekur në oborrin e QKUK-së, në Prishtinë. Ajo dyshohet se është qëlluar me armë nga bashkëshorti i saj. E ndjera kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse dhe njëherit, posedonte urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore e Ferizajt





Një grua shtatzënë e moshës 35-vjeçare ka humbur jetën mbrëmjen e së mërkurës. Ajo është qëlluar me armë zjarri nga një person, i cili dyshohet se është burri i saj.

Kështu ka bërë të ditur, fillimisht, një anëtar i stafit të QKUK-së për Radio Dukagjini.

Më vonë, rasti u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Krahas Policisë, edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës e ka konfirmuar rastin.

“Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, kanë deklaruar nga QKUK.

E ndjera kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse. Këtë e ka konfirmuar Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, derisa ka shtuar se njëherit, viktima kishte urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

MD e konfirmon se gruaja kishte kërkuar ndihmë nga organet e drejtësisë

Gruaja që u vra kishte urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore e Ferizajt

Gruaja shtatzënë e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj këtë të mërkurë, në oborrin e QKUK-së, kishte pasur urdhër mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Këtë e bëri të ditur këshilltarja e Albulena Haxhiut në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Bala.

E pyetur se a është dashur që e ndjera të ketë qenë e mbrojtur në kohën sa ishte në hapësirat e QKUK-së, Bala tha se nuk i di të gjitha detajet e procedurave të mbrojtjes.
“Sipas informacioneve që i kemi e ndjera ka pasur urdhër mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj”, ka thënë ajo.

Krahas kësaj, Kallxo.com zbulon se i dyshuari kishte aktakuzë për kanosje më 10 gusht të këtij viti, në Gjykatën e Ferizajt.

Kryetari i Lipjanit: Për rastin e gruas kanë qenë në dijeni të gjitha organet

Në një lidhje direkte në “Debat Plus” të mërkurën, Kryetari i Lipjanit, Imrin Ahmeti ka thënë se gruaja shtatzënë, e cila u vra, ka qenë nga komuna e Shtimes.

Ai ka thënë se të gjitha organet që merren me raste të tilla, kanë qenë të informuara për rastin e gruas, e cila ishte në proces të divorcit nga burri i saj, e i cili dyshohet se me armë zjarri ia ka marrë jetën.

Ahmeti bëri të ditur se e ndjera pas ndarjes nga ai, jetonte vetëm me vajzën e axhës së saj.

“Me të marrë lajmin, kam telefonuar në lagjen të fshatit Llugagji, dhe cili ka qenë statusi social i saj. Është e ndarë para 5 muje nga bashkëshorti i saj. Janë shtatë motra, është motra më e vogël, pas divorcit ka jetuar e vetme…Pas divorcit, ajo ka jetuar me një vajzë të axhës së saj. Rasti është lajmëruar në qendrën për punë sociale në Shtime, para katër muajve është lajmëruar edhe në Lipjan. Kam telefonuar menjëherë për të parë a janë marrë me këtë rast…  informacionet nga qendra sociale në Lipjan është se nuk janë marrë këta pasi rasti ka ndodhur në komunë të Shtimes dhe janë marrë zyrtarët e asaj komunës së Shtimës. Për rastin kanë qenë në dijeni të gjithë organet që trajtojnë raste të tilla”, ka thënë ai.

Motra e viktimës: Policia që 4 muaj është në dijeni për rastin

Motra e gruas shtatzënë, e cila u vra në oborrin e QKUK-së, këtë të mërkurë, ka bërë të ditur se për rastin e motrës së saj, Policia e Kosovës ka qenë në dijeni që katër muaj.

Në gjendje të rëndë emocionale e mes lotësh, Mirushe Lohaj, u shpreh se të martën, familjarët e burrit, i cili dyshohet se e ka vrarë gruan e tij, e kanë lutur të kthehet në shtëpi.

Ajo theksoi se nga mediat e ka mësuar për rastin tragjik, ku mbeti e vrarë motra e saj shtatzënë.

Lajmi për vdekjen e 35-vjeçares nxiti edhe reagimin e krerëve të shtetit dhe figurave politike të vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se një Kosovë e tërë vajton pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë në oborrin e QKUK-së, të mërkurën.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se nuk ka më arsyetime lidhur me sprovën e shoqërisë, për të cilën, thotë se nuk është vetëm e shtetit.

“Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë! Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë”, thotë Osmani.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me rastin tragjik të vrasjes makabër. Ai u shpreh se ajo u vra nga burri i saj në oborrin e spitalit, aty ku parashihet që të shërohen njerëzit.

“Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor”.

Ai tutje ka shkruar se “Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Një deklaratë e tillë u kritikua nga analisti i Debat Plus, Imer Mushkolaj.

“Kryeministri na thurr vargje vajtimi që nuk i takojnë një kryeministri, kryeministri është për të marrë vendime, nuk është për të vuajtur…është jashtëzakonisht shqetësuese sesi e ndërlidh pastaj.. dy shqiptarë më pak do të jenë duke menduar armiqët tanë. Edhe në këtë tragjedi, përpiqet të marrë poena politikë dhe mundohet ta mbështjellë me një folklorizëm, me njëfarë nacionalizmi të shpifur që e ka si specialitet me vite me radhë”.

Mushkolaj cilëson se kryeministri Kurti nuk ka për prioritet të tijin sektorin e shëndetësisë në Kosovë, gjersa numëron raste të neglizhencës së tij në këtë drejtim.

“Po na flet kryeministri që prej 6 nëntorit kur ka dhënë dorëheqje Rifat Latifi, nuk e ka caktuar ministrin e Shëndetësisë. Po na flet kryeministri, i cili po brengoset për gjendjen në shëndetësi dhe QKUK e mediat çdo ditë të lume raportojnë raste të pacientëve që vuajnë në këto institucione”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkolaj pas reagimit të Kurtit për vrasjen e 35-vjeçares: Edhe në tragjedi, përpiqet të marrë poena politikë

Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se mëngjesin e së enjtes, përkatësisht në orën 8 e 30, do të mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.

Krahas Kurtit, edhe Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërkuar dorëheqjen e ushtruesit të detyrës të drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

Në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Haki Abazi, ka thënë se nëse rasti i vrasjes së 35-vjeçares kishte qenë i lajmëruar në polici, drejtori i saj duhet të japë dorëheqje.

“Unë mendoj që drejtori i Policisë sonte duhet të japë dorëheqje. Si deputet po e them me plot përgjegjësi, nëse rasti ka qenë i lajmëruar në polici”, ka deklaruar Abazi.

Haki Abazi kërkon dorëheqjen e U.D të shefit të Policisë

Një reagim nuk mungoi as nga liderët e partive opozitare në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar duke quajtur vrasjen si “tragjike, mizore, çnjerëzore!”.

“Dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit. Duhet të veprohet sot. Shpejt. Pa kompromis!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi për vrasjen gruas shtatzënë:  Tragjike, mizore, çnjerëzore shtetit duhet të veprojë shpejtë e pa kompromis

Krahas tij, përmes një postimi në Facebook, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se një akt i tillë, kundërshton traditën shqiptare dhe jo vetëm. Sipas tij, duhet një mobilizim i tërë shoqërisë, ashtu që tragjedi të tilla të parandalohen.

“I tronditur nga lajmi për vrasjen makabre që ndodhi në SHSKUK. Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vetë logjikën njerëzore. Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim i joni si shoqëri, në të gjitha nivelet, që të tilla tragjedi të parandalohen e të mos i përjetojmë asnjëherë. Ndajmë dhembjen me familjen dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj për vrasjen e 35-vjeçares: Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare

Të enjten në Prishtinë protestohet kundër vrasjes së grave nga burrat

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbajë protestë të enjten në Prishtinë, për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Në një njoftim mbrëmjen e të mërkurës, pas vrasjes së një gruaje 35-vjeçare e njëherit, shtatzënë nga burri i saj, me të cilin, thuhet se ishte në procedurë të divorcit, bëhet e ditur se protesta do të nisë në ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se nesër më 1 dhjetor 2022, në ora 16:00, do të mblidhemi te sheshi ‘Zahir Pajaziti’ për të protestuar dhe për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare. Edhe një burrë sot vrau një grua. Edhe një grua që ra viktimë e patriarkatit që i bën burrat vrasës e grave ua merr jetën. Sot, për të dytën herë brenda javës, u njoftuam edhe nga një vrasje tjetër makabre e një gruaje shtatzënë nga bashkëshorti i saj në QKUK, në sytë e shtetit. Pesë ditë, dy vrasje”, thuhet në njoftim.

Kësaj thirrjeje, i është bashkangjitur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika