Nga e mërkura e 4 tetorit e deri në fillim të dhjetorit, shumica e institucioneve publike të Kosovës, do të kenë në shfrytëzim edhe mbi 400 vetura që tashmë janë marrë me qira.
Agjencia Qendrore e Prokurimit, ka publikuar dy kontrata të lidhura me dy kompani të ndryshme, vlera e të cilave shkon në mbi 260 mijë euro.
Nga kompania “Auto Mita” do të shfrytëzohen 357 vetura, që për dy muaj buxhetit do t’i kushtojnë rreth 197 mijë euro.
Derisa nga kompania “Mercom”, do të huazohen 72 vetura, e që për to do të paguhen 66 mijë euro.
Rreth 6 milionë euro, janë paguar nga buxheti i shtetit për më shumë se 5 vite, për marrjen me qira të veturave për institucione të ndryshme publike.
Kritika për këtë proces ka Lëvizja FOL, e cila thotë se veturat duhej të ishin blerë shumë më herët veturat që të mos bëhet shpenzim i tillë.
“Ne mendojmë që kjo është një keqmenaxhim i parasë publike, gjithashtu është edhe keqmenaxhim i shumë planifikimeve të prokurimit që janë duke ndodhur tani, për shkak se kjo i kushton kosto të dyfishtë, buxhetit të Kosovës dhe më e mira do të ishte që këto vetura me qira të bliheshin njëherë”, thotë Viona Bunjaku – Lëvizja FOL.
Miliona euro i kushtuan shtetit ndër vite, kontratat për marrjen e veturave me qira.
Muaj më parë, Agjencia Qendrore e Prokurimit, ka nënshkruar një aneks kontratë në vlerë prej 164 mijë eurove për marrjen me qira të 294 veturave edhe për dy muaj, meqë kontrata 5-vjeçare kishte skaduar.