Policia Kufitare ka shtuar masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar, për krijimin e lehtësirave për të gjithë shtetasit shqiptar që kthehen në vendet e tyre të punës dhe për qytetarët që udhëtojnë për qëllime të ndryshme.
Sipas autoriteteve në Shqipëri, tashmë vijon kthimi normal për në vendet e punës, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar të qytetarëve shqiptarë që erdhën në Shqipëri, për të kaluar festat e fundvitit.
“Masat të koordinuara me homologët në pikat tokësore, me qëllim pasjen e një lëvizjeje të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit”, thuhet në njoftim.
Policia Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, ka shtuar sportele në dalje të Republikës së Shqipërisë, me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe krijimin e lehtësirave për të gjithë shtetasit që erdhën në Shqipëri, për të kaluar festat e fundvitit dhe që tashmë po kthehen në vendet e tyre të punës.
Më tutje, thuhet se në të gjitha pikat e kalimit kufitar vijon lëvizja normale dhe nuk janë krijuar radhë apo vonesa për qytetarët dhe automjetet që qarkullojnë në të dyja anët e kufirit.