Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj, ka bërë të ditur se do ta shtyjë protestën kundër ministrit të Financave, Hekuran Muratit, pas zbardhjes së deklarimeve të tij kundër UÇK-së.
Të premten e një korrikut, përmes një postimi në Facebook, Ministri i Financave Hekuran Murati u ka kërkuar ndjesë luftëtarëve të UÇK-së, mirëpo një gjë e tillë duket se nuk u vlerësua nga Molliqaj.
Ai e ka konsideruar si “të përllogaritur” kërkimfaljen e bërë nga Murati, por është shprehur se duhet një “organizim edhe më i fuqishëm” për protestën.
“Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja”, është shprehur mes të tjerash Molliqaj.
Megjithëse protesta është shtyrë, përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka bërë të ditur se deri në mbajtjen e saj, do të mbajë të informuar qytetarët me aktivitetet e PSD-së.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, kishte paralajmëruar protestë mbarëpopullore ndaj Ministritit të Financave, Hekuran Murati.
Në një konferencë për media, Molliqaj përkrah Natyra Kuqit u kishte bërë ftesë protestuesve të jenë prezent në protestën e 6 korrikut në orën 19:00.
Molliqajt nuk i mjafton kërkimfalja e Muratit, kërkon dorëheqjen e tij