Gjykimi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është shtyrë për të mërkurën e 11 janarit.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është anuluar.
E njëjta është shtyrë me kërkesë të mbrojtësit të Nedeljko Spasojeviq, Faruk Korenica.
Avokati Korenica ka kërkuar që seancat ku janë paraparë të dëshmojnë dëshmitarë që janë propozuar nga ai të shtyhen, për shkak të mosardhjes së dëshmitarëve.
Të akuzuarit, Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit, Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur të tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet vete, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.