Si shkak i mungesës së të akuzuarit Ekrem Tahiri, seanca fillestare është shtyrë për të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Mbi mungesën e të akuzuarit, gjykatësi Vesel Ismaili ka bërë të ditur se gjykata nuk ka prova nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt dhe kështu, seanca është shtyrë për 1 qershor 2022.
Përmes aktakuzës së ngritur ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) është duke pretenduar se Hoxha ka keqpërdorur detyrën zyrtare si ministre, nën dyshimin se kishte përdorur kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, gjersa kjo kontratë kishe shërbyer për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i tillë kishte për qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), në kundërshtim me ligjin, Hoxha kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.
Theksohet se një promovim i tillë ishte realizuar përmes publikimit të banerëve, videove që vinin në fokus të pandehurën, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar asaj një përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën totale prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.
Nga ana tjetër, i pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës të Prokurimit të MIE-së, me dashje, ka keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B” duke vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet “OE”, kompani e cila kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimi më të ulët.
Me këtë, sipas nenit 414, par.2 të Kodit Penal, ekziston dyshimi se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gëzim Dushi është akuzuar se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, përderisa ka qenë menaxher në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura e lartcekur, Dhurata Hoxha.
Sipas kësaj aktakuze, Dushi kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa, edhe pse pretendohet të ketë qenë në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime në përputhje me kushtet e kontratës.
Sipas nenit, 414, par.2 të KPRK-së, Dushi dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
I pandehuri në mungesë, Ekrem Tahiri, pretendohet se me dashje, nuk i kishte kryer shërbimet në përputhje me kontratën duke qenë në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet sipas kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.
Me këto veprime, Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit mirëpo, ekziston dyshimi se Hoxha ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike.
Caktohet seanca fillestare ndaj ish-ministres Hoxha dhe të tjerëve, të akuzuar për korrupsion