Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit Mihajloviq për përfshirje në rastin e vrasjes së Ivanoviqit

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Milan Mihajloviq, nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës, ka dështuar të nis të enjten gjykimi në rastin ku Mihajloviq akuzohet për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq

Gjyqi për rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, Prishtinë, 14 mars 2023, foto RL.

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Milan Mihajloviq, avokati Miodrag Brkljaq, nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës, ka dështuar të nisë të enjten gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Mihajloviq akuzohet për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Avokati Brkljaq ka deklaruar se nuk është pajisur me shkresa të lëndës, përkatësisht provat me të cilat i mbrojturi i tij ngarkohet se ka kryer veprat penale.

Andaj, gjykatësi Lutfi Shala e obligoi prokurorin Burim Çerkini që ta pajisë të njëjtin me shkresa të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 dhjetor 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq, lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, të cilin e ngarkon me katër vepra penale.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Mihajloviq akuzohet për pjesëmarrje në grupin kriminal të organizuar, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe për falsifikim të dokumenteve.

Akuza thotë se i njëjti, nga viti 2014 e tutje, si anëtar i grupit të organizuar dhe i strukturuar kriminal, së bashku me Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, duke vepruar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, me role të caktuara dhe në bashkëpunim ndërmjet vete kanë vepruar për një periudhë të gjatë kohore, ku secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllime të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi ka ardhur deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Dispozitivi i parë i akuzës kundër Mihajloviq thotë se i njëjti më 2 mars 2019, në Mitrovicë, derisa ishte duke u zhvilluar procedura penale për disa nga të akuzuarit, me qëllim të nxitjes së dëshmitarit B1 për të refuzuar dhënien e dëshmisë në procedurë paraprake, e që paraprakisht kishte dijeni se është dëshmitar anonim në këtë proces, ku gjatë bisedës në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit i ka thënë Mos u bë i marrë, mos më lidh mu me këtë punë”.

Ndërsa, kur i kishte thënë se “ti e din shumë mirë se kush po i kryen këto vrasje, këto krime”, i pandehuri Mihajloviq e ka kanosur me fjalët Mos i përmend këto gjëra, se për këto të shkon edhe koka sepse pas këtyre gjërave qëndrojnë forcat e fuqishme shtetërore”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 paragrafi1 lidhur me veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 394 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me paragrafët 4 dhe 5 të KPRK-së.

Ndërkaq, dispozitivi i dytë i akuzës thotë se Mihajloviq më 25 tetor 2021, përmes telefonit e ka kanosur seriozisht personin zyrtar, hetuesin e Inspektoriatit Policor të Kosovës (IPK), tani të dëmtuarin Zhivorad Jovanoviq, në atë mënyrë që Mihajloviq përkundër që kishte urdhërarrest aktiv, ishte intervistuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicë dhe ishte liruar dhe për këtë arsye IPK kishte filluar hetimet ndaj zyrtarëve policorë të cilët e kanë liruar të njëjtin.

Tutje, në dosje thuhet se me të kuptuar se IPK ka filluar hetimet ndaj policëve, i pandehuri Mihajloviq përmes telefonit e kërcënon me fjalët “E kam siguruar numrin e telefonit tuaj, e di se ku jeton dhe i di të gjitha lëvizjet e tua, kush je ti që më ndjek mua, keni me pa se si do të përfundoni”, me ç’rast ka shkaktuar frikë tek zyrtari hetues i IPK-së.

Me këto veprime, Mihajloviq akuzohet se ka kryer veprën penale Kanosje”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë të kësaj akuze, Mihajloviq akuzohet se më 19 tetor 2022, në Mitrovicë, derisa njësitë policore ishin duke kryer arrestimin e tij sipas urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata, i njëjti prezantohet se nuk është personi Milan Mihajloviq, por që është një tjetër person me emrin Zvezdan Andrejiq.

Mirëpo, gjatë kontrollit të njëjtit i është gjetur edhe letërnjoftimi i Republikës së Serbisë, i falsifikuar në emër të Zvezdan Andrejiq por me foto të tij, të cilin e kishte përdoruar me qëllim të mos arrestimit të tij.

E me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale Falsifikim i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u zhvilluar një proces gjyqësor, ku për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika